Connect with us

Shkrime

Nga protesta, te lufta për kontroll brenda vetes/ Çfarë po ndodh me revolucionin e flamingove

Përplasja fizike mes protestuesve të “Revolucionit të Flamingove” përpara Kryeministrisë nuk duket më si një incident i izoluar. Ajo mund të jetë shenja se çarja e mbledhur prej javësh brenda protestës ka kaluar tashmë në një fazë të re.

Deri tani, rivalitetet mes grupimeve ishin mbajtur nën kontroll përballë një objektivi të përbashkët: protestës kundër qeverisë. Por balanca mes dy kampeve kryesore – “Banka e Fundit” dhe grupimi i lidhur me “Mikrofonin” dhe Gent Prognin – duket se është prishur.

Përplasja nisi të bëhej më e dukshme kur grupimi i “Mikrofonit” kërkoi një rol më të madh edhe në marshime, duke prekur një ekuilibër që deri atëherë dukej se funksiononte.

Prej aty, rivaliteti u shndërrua në akuza: kush e drejton protestën, kush flet në emër të saj, kush kontrollon organizimin dhe kush administron fondet?

Tashmë këto pyetje nuk po diskutohen vetëm në rrjetet sociale. Ato kanë zbritur në shesh dhe përplasja fizike e së dielës është sinjali më i fortë se konflikti ka dalë jashtë kontrollit.

Pas incidentit janë shfaqur edhe akuza për financimin e protestës. Influencerja Gerta Shino ka ngritur pretendime për fondet e mbledhura përmes GoFundMe dhe ka hedhur akuza të tjera ndaj grupimit të Prognit, përfshirë pretendime për financime dhe lidhje politike.

Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur dhe duhen trajtuar si akuza të palëve në konflikt. Por rëndësia e tyre qëndron te fakti se ato tregojnë nivelin e mosbesimit që ka krijuar tashmë përçarja.

Dhe ky mund të jetë rreziku më i madh për protestën.

Një lëvizje mund të mbijetojë me diferenca, rivalitete dhe edhe me beteja për protagonizëm. Por është shumë më e vështirë të mbijetojë kur protestuesit fillojnë ta shohin njëri-tjetrin si kundërshtarë.

Në ditën e 78-të të protestës, me pjesëmarrjen që duket në rënie dhe pa një strukturë të vetme drejtuese që të ketë autoritet mbi të gjitha grupimet, situata bëhet edhe më delikate.

Tashmë pyetja nuk është vetëm nëse “Banka e Fundit” dhe “Mikrofoni” do të ndahen.

Pyetja është nëse do të çahet vetë “Revolucioni i Flamingove”.

“Shihemi në shtator” mund të jetë premtimi për një rikthim të madh. Por mund të rezultojë edhe një mënyrë për të shtyrë për më vonë një krizë që tashmë ka shpërthyer brenda protestës.

Paradoksi është i fortë: një lëvizje që kërkon të rrëzojë një sistem jashtë sheshit, po përballet brenda vetes me të njëjtat beteja për pushtet, kontroll, protagonizëm dhe ndikim. AP – Vitjon Nina

Advertisement