Politike
Rama urdhëroi shkarkimin e nënkryetarëve të bashkive, Vangjel Tavo i del kundër: Zëvendësit e mi do i testoj

Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, refuzon t’i bindet urdhrave të Kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e nënkryetarëve. Fisnik Qosja u shpreh se ultimatumi i kryeministrit vlen vetëm për udhëheqësit socialistë.
“Absolutisht jo. Performanca është gjë tjetër. Jo nuk do t’i shkarkoj për shkak të kryeministrit, por për shkak të sezonit turistik apo tjetër… Absolutisht jo. Nuk isha këtu politikisht, isha si kryetar bashkie, kështu që… Ai e ka me të vetët, nuk e ka me të mitë”, tha Qosja.
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, gjithashtu ka deklaruar se nuk do t’i shkarkojë nënkryetarët siç kërkoi kreu i qeverisë, pasi kanë shumë pak kohë në detyrë.
“Në varësi të performancës, unë jam kryetar i ri. Kuptohet që janë akoma në provë, plus që nënkryetarët e mi janë të rinj”, tha Tavo për mediat.
Kryebashkiaku i Mirditës Albert Melyshi është një tjetër drejtues që ka refuzuar të zbatojë urdhrin e Edi Ramës. Ai thekson se pushteti vendor është i pavarur.
“Bashkia Mirditë bazohet në bazë të performancës së punës së Administratorit, jo në urdhëra politik”,- ka deklaruar Melyshi.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një mbledhje me të gjithë kryetarët e bashkive në vend, të djathtë e të majtë ndërsa kritikoi një për një të gjithë kryebashkiakët për detyrat e neglizhuara.

