Connect with us

Bota

Do të ulë tarifat e SHBA-së për eksport/ Trump dhe Pakistani arrijnë marrëveshje për rezervat e naftës

Presidenti amerikan Donald Trump tha se është arritur një marrëveshje me Pakistanin që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë në zgjerimin e rezervave të naftës së Islamabadit. Pakistani thotë se marrëveshja do të ulë tarifat e SHBA-së për eksportet e tij.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi të mërkurën në mbrëmje se ka arritur një marrëveshje me Pakistanin që përfshin ndihmën e Uashingtonit për të zhvilluar rezervat e naftës të vendit të Azisë Jugore. “Sapo kemi arritur një marrëveshje me Pakistanin, sipas së cilës Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara do të punojnë së bashku për të zhvilluar rezervat e tyre të mëdha të naftës”, shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social.

Pakistani tha se marrëveshja do të rezultojë në tarifa më të ulëta për eksportet e tij në Shtetet e Bashkuara. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i vendit, Ishaq Dar, e konfirmoi marrëveshjen në një deklaratë. “Pakistani po arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara”, shkroi ai në platformën X, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Detajet e marrëveshjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit mbeten të paqarta. Detajet e marrëveshjes, duke përfshirë normën e tarifave të dakorduara dhe rezervat e naftës për të cilat iu referua Trumpi, nuk u bënë të qarta menjëherë.

 

 

Trump nuk përmendi tarifa në njoftim

“Ne jemi në procesin e zgjedhjes së kompanisë së naftës që do të udhëheqë këtë partneritet”, tha presidenti i SHBA-së. Në prill, Pakistani u përball me një rritje të mundshme prej 29% të tarifave të SHBA, e cila më pas u pezullua për 90 ditë për të lejuar negociata tregtare.

Të enjten, Ministri i Financave i Pakistanit, Mohammad Aurangzeb, tha se kishte zhvilluar takime me zyrtarë të lartë amerikanë në Uashington dhe e quajti marrëveshjen një “fitore për të dyja palët” si për vendin e tij, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara.

Aurangzeb po viziton kryeqytetin e SHBA për herë të dytë brenda dy javësh për atë që ai e quajti fazën përfundimtare të negociatave mbi një marrëveshje tarifore.

“Nga perspektiva jonë, kjo ka qenë gjithmonë për më shumë sesa një imperativ i menjëhershëm komercial, dhe objektivi i saj ishte, dhe mbetet, që tregtia dhe investimet ecin paralalelisht”, tha ai në një video të publikuar nga Ministria e Financave e Pakistanit.

Tarifa prej 25% ndaj Indisë

Ky zhvillim midis Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit vjen më pak se një ditë pasi Uashingtoni vendosi tarifa prej 25% ndaj Indisë, rivalit historik të Islamabadit. Shtetet e Bashkuara vendosën këto tarifa dhe sanksione të tjera financiare, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 gusht, për tregtinë midis Indisë dhe Rusisë, pavarësisht luftës që vazhdon në Ukrainë.

Të mërkurën, Trumpi kritikoi ekonomitë ruse dhe indiane, duke shtuar se kjo e fundit kishte një nga tarifat më të larta në botë. “Nuk më intereson se çfarë bën India me Rusinë. Ata mund t’i fundosin ekonomitë e tyre që po vdesin së bashku, nuk më intereson. Ne kemi shumë pak tregti me Indinë; tarifat e tyre janë shumë të larta, ndër më të lartat në botë”, tha ai.

Ndërsa njoftoi partneritetin e naftës me Pakistanin, presidenti amerikan sugjeroi gjithashtu se Islamabadi mund t’i shesë naftë New Delhit “një ditë”.

“Kush e di, ndoshta një ditë do t’i shesin naftë Indisë!”, shkroi Trumpi./DW/

Advertisement