Bota
SHBA urdhëron pozicionimin e dy nëndetësve bërthamore/ Trump i tregon vendin ish presidentit rus pas komenteve provokuese:

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, thotë se ka urdhëruar dy nëndetëse bërthamore që të “pozicionohen” në përgjigje të komenteve “shumë provokuese” të ish-presidentit rus Dmitry Medvedev.
“Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të paqëllimshme. Shpresoj që kjo të mos jetë një prej atyre rasteve“, tha Trump.
Ai nuk tha se ku po dislokohen dy nëndetëset.
Medvedev ka kërcënuar së fundmi SHBA-në në përgjigje të ultimatumit të Trump drejtuar Moskës për të rënë dakord për një armëpushim në Ukrainë, përndryshe do të përballej me sanksione të ashpra.
Rusia dhe SHBA zotërojnë më shumë armë bërthamore në botë. Por, Trump nuk cilësoi nëse po i referohej nëndetëseve me energji bërthamore apo të armatosura me armë bërthamore në postimin e tij në Truth Social, raporton BBC.
Në postim, presidenti amerikan shkroi: “Bazuar në deklaratat shumë provokuese të ish-presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse, kam urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e përshtatshme“.
Trump dhe Medvedev kanë qenë së fundmi të përfshirë në një sërë sulmesh personale kundër njëri-tjetrit në rrjetet sociale.
Të hënën, Medvedev e akuzoi Trump-in për të luajtur “lojën e ultimatumit me Rusinë”. Në një postim në X, ai tha se “çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës”.
Të enjten, Trump e përshkroi Medvedevin si “ish-presidenti i dështuar i Rusisë, që mendon se është ende president”. Trump gjithashtu e paralajmëroi Medvedevin të “ketë kujdes me fjalët”, duke shtuar se “po hyn në një territor shumë të rrezikshëm!”
Shtëpia e Bardhë i tha BBC-së se nuk ka ndonjë koment shtesë për deklaratat e Trump, ndërsa Kremlini nuk ka komentuar publikisht për deklaratën e fundit të presidentit amerikan.

