Connect with us

Politike

Berisha pas daljes nga SPAK shpërthen ndaj Dumanit: I pacipë, ekstremist i majtë dhe mashtrues ordiner

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, pas daljes nga Prokuroria e Posaçme mëngjesin e kësaj të hëne. Në një deklaratë për mediat, Berisha e akuzoi Dumanin për mashtrim lidhur me rastin e gazetarit Thoma Gëllçi, duke e quajtur “një të pacipë me formim ekstremisti të majtë mizerabël”.

Sipas Berishës, Dumani ka dezinformuar opinionin publik duke thënë se Gjykata e Strasburgut mori vendim mbi bazën e pretendimeve të rreme. Berisha këmbënguli se Gëllçi nuk u dorëzua, por u arrestua, përkundër versionit të paraqitur nga SPAK.

Në një mashtrim të pacipë, Dumani u deklaroi shqiptarëve se Strasburgu u dezinformua për çështjen Gëllçi. Gazetari nuk u dorëzua, por u arrestua. Dhe Strasburgu nuk mund të vendosë mbi bazën e një mashtrimi. Të quash ordiner është pak për këtë mashtrim,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se sipas avokatit të Thoma Gëllçit, klienti i tij kishte telefonuar vetë shefin e komisariatit për t’u dorëzuar, çka sipas Berishës rrëzon narrativën zyrtare të prokurorisë.

Berisha: Po kështu, në një mashtrim të pacipë, ai u deklaroi shqiptarëve se Strasburgu u dezinformua për çështjen Gëllçi, sepse gazetari Gëllçi nuk u dorëzua, por u arrestua.
Dhe sipas tij, Strasburgu vendosi mbi bazën e një mashtrimi.
Ordiner, e ka pak ta quash këtë.
Avokati i Thoma Gëllçit deklaroi se Thoma Gëllçi ka marrë në telefon shefin e komisariatit të policisë së po vij.
Tani se kush është dorëzim dhe kush nuk është dorëzim, imagjinojeni ju se çfarë mashtruesi ordiner.
Pra, në vend se të kërkojë ndjesë publike për masat represive që urdhëroi ndaj gazetarit Gëllçi, mashtron shqiptarët sikur Gjykata e Strasburgut ka vendosur mbi bazën e mashtrimit, çka nuk mund të ndodhë kurrë.
Ta dini ju një gjë, Strasburgu vepron në këtë mënyrë, për çdo çështje që merr, merr me shkrim përgjigjen e të gjitha pyetjeve që shtron për të dy palët, për palën paditëse dhe palën tjetër.
Pra, i pacipë, me një formim ekstremisti të majtë mizerabël, i marrë peng nga katër shtëpitë e tij, që ka edhe gazetar që thotë se është i ndershëm ai. I ndershëm me katër shtëpi dhe një rrogë shteti.
A mund të imagjinoni ju? Të dalë njeri të blejë tre shtëpi dhe të katërtën kollovar të vjehrri, ndërtuar në kushtet më misterioze.

Advertisement