Connect with us

Bota

Thellohet bilanci në Gaza/ 98 fëmijë humbin jetën nga uria, 212 numri total i viktimave

Të paktën edhe 11 persona të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e kequshqyerjes në Rripin e Gazës, duke e çuar në 212 numrin total të viktimave nga uria, mes tyre 98 fëmijë

Ndërkohë, të paktën 38 persona janë vrarë dhe 491 të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e operacioneve ushtarake izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e drejtuar nga Hamasi.

Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur raportet flasin për një afat të ri të vendosur nga Izraeli për evakuimin e qytetit të Gazës deri më 7 tetor 2025 – përvjetori i dytë i nisjes së luftës. Ky afat është pjesë e një plani të ri të miratuar nga kabineti i sigurisë së Izraelit për të marrë kontrollin e plotë të qytetit dhe për të zhvendosur më shumë se një milion banorë drejt jugut të territorit.

Sipas mediave izraelite, plani përfshin pesë “parime” për përfundimin e luftës, ndër të cilat përmendet edhe “marrja e kontrollit të sigurisë në territor”.

Zhvendosje masive drejt al-Mawasit

Plani parashikon zhvendosjen e popullsisë drejt al-Mawasit, një kamp i madh çadrash në jug të Gazës, i mbipopulluar dhe pa kushte minimale për jetesë. Shumë nga banorët aktualë të qytetit të Gazës janë tashmë të zhvendosur të brendshëm që jetojnë në rrënoja apo çadra.

Organizatat humanitare kanë ngritur alarmin për pasojat katastrofike që ky plan do të ketë mbi popullsinë palestineze. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për një situatë të urisë ekstreme dhe vështirësi të mëdha për të përmbushur nevojat bazë të njerëzve.

Agjencia humanitare e OKB-së deklaroi se sasia e ndihmave që po futen në Gaza është shumë larg minimumit të nevojshëm për të shmangur katastrofën humanitare.

Izraeli mohon ekzistencën e urisë dhe ka akuzuar agjencitë e OKB-së për vonesa në shpërndarjen e ndihmave, duke pretenduar se ato nuk i marrin ndihmat nga kufiri.

Viktima gjatë shpërndarjes së ndihmave

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 21 persona u vranë gjatë përpjekjes për të marrë ushqim brenda një dite. Ndërkohë, OKB raportoi se që nga fundi i majit, 1,373 palestinezë janë vrarë gjatë kërkimit për ndihma ushqimore – shumica e tyre nga forcat izraelite.

Organizata e re “Gaza Humanitarian Foundation”, e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, është përgjegjëse për disa nga qendrat e shpërndarjes së ndihmave, por OKB i ka cilësuar këto si të rrezikshme për civilët.

Izraeli ka hedhur poshtë kritikat dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se “dënimet ndërkombëtare nuk do ta lëkundin vendosmërinë tonë”.

Advertisement