Bota
Alaska në qendër të botës/ Trump gati të ulë në një tryezë Putin dhe Zelensky, zëvendëspresidenti i SHBA zbulon detajet

Shtetet e Bashkuara po punojnë për të caktuar një takim midis Donald Trump dhe homologëve të tij nga Rusia, Vladimir Putin dhe Ukraina, Volodymyr Zelenskyy. Kështu ka deklaruar zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance, ndërsa aleatët evropianë të Ukrainës ushtruan presion mbi Zelenskyn që të merrte pjesë në samitin SHBA-Rusi në Alaska.
“Një nga pengesat më të mëdha është se Vladimir Putin ka thënë se nuk do të ulet kurrë në të njëjtën tryezë me Zelenskyn, udhëheqësin ukrainas, dhe presidenti (Trump) ka arritur ta ndryshojë këtë”, tha J.D. Vance në një intervistë me rrjetin konservator Fox News që u transmetua të dielën.
Qeveria amerikane, shtoi ai, tani po punon për të caktuar momentin kur këta tre udhëheqës mund të ulen dhe të diskutojnë fundin e konfliktit në Ukrainë. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe fuqive të Kontinentit të Vjetër këmbëngulën dje që Kievi të marrë pjesë në negociatat SHBA-Rusi, disa ditë para samitit midis Donald Trump dhe Vladimir Putin të planifikuar për të premten në Alaska.
Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje gjithashtu aleatëve të tij evropianë, kryesisht Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat gjithashtu janë lënë mënjanë nga bisedimet, të përcaktojnë një qasje të përbashkët. Një “takim urgjent” me anë të videokonferencës është planifikuar gjithashtu për sot midis ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së dhe homologut të tyre ukrainas.
Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, nga ana e tij, la të kuptohej gjithashtu dje, të dielën, se presidenti ukrainas mund të marrë pjesë në samit.
“Po, mendoj pa dyshim se është e mundur”, u përgjigj diplomati amerikan, kur u pyet nga CNN nëse kreu i shtetit ukrainas mund të jetë i pranishëm në Alaska.
“Nuk mund të ketë marrëveshje, sigurisht, nëse të gjitha palët nuk e nënshkruajnë atë. Dhe padyshim përparësia absolute është t’i japim fund luftës”, tha Whitaker.
Megjithatë, në fund të fundit, Donald Trump do të jetë ai që do të vendosë, paralajmëroi ambasadori i SHBA-së në NATO.
“Nëse ai mendon se ftesa e Zelensky-t është skenari më i mirë, atëherë do ta bëjë”, siguroi ai. Por nuk është marrë asnjë vendim, theksoi Whitaker, një ish-prokuror federal.

