Andriy Parubii, një figurë kyçe e politikës ukrainase dhe një nga liderët e njohur të Revolucionit EuroMaidan, u vra më 30 gusht në qytetin e Lvivit nga një person i maskuar si korrier. Lajmi u konfirmua më 1 shtator nga autoritetet ukrainase, të cilat njoftuan edhe ndalimin e një burri 52-vjeçar nga Lviv, i dyshuar për vrasjen.
Burri u kap në qytetin Khmelnytskyi dhe u raportua se e kishte planifikuar me kujdes sulmin. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të jetë e lidhur me shërbimet e inteligjencës së huaj, veçanërisht ato ruse. Nga një qeli qelqi, i dyshuari deklaroi për mediat se ai ishte autor i vrasjes dhe e quajti veprimin e tij si një mënyrë për të shprehur hakmarrje ndaj strukturave shtetërore të Ukrainës. Ai kërkoi të shkëmbehej me një të burgosur lufte në mënyrë që të kishte mundësinë të gjente trupin e djalit të tij, një ushtar i zhdukur pranë Bakhmutit në vitin 2023.
Burri kishte tentuar të mësonte për fatin e djalit të tij përmes kontakteve në Rusi, të cilët i kishin thënë se djali i tij kishte humbur jetën. Disa burime mediatike ukrainase raportuan se ai mund të jetë ndikuar apo shantazhuar nga agjencitë ruse të inteligjencës për të kryer vrasjen, megjithatë i dyshuari mohoi kategorikisht këto pretendime. Ai u shpreh se kishte vepruar i vetëm dhe pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë shërbim të huaj.
Kur u pyet pse kishte zgjedhur pikërisht Parubi-in si objektiv, ai tha se ishte “thjesht afër”, dhe shtoi: “Nëse do të jetoja në një qytet tjetër, do të ishte dikush tjetër.” Gjykata e Lvivit urdhëroi mbajtjen e tij në paraburgim për 60 ditë pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa hetimet janë ende në vijim. Ceremonia mortore e Parubiit u mbajt më 2 shtator në katedralen e Shën Gjergjit në Lviv. Ai ishte një prej figurave më të spikatura të lëvizjeve demokratike në Ukrainë, duke përfshirë Revolucionin Portokalli në vitin 2004 dhe Revolucionin EuroMaidan në vitet 2013–2014, ku luajti një rol udhëheqës në organizimin e grupeve të vetëmbrojtjes.
Pas përmbysjes së ish-presidentit Viktor Janukovych, Parubii u emërua sekretar i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare në vitin 2014, në një periudhë kritike kur Rusia pushtoi Krimenë dhe nisi agresionin në Donbas. Roli i tij në atë kohë e bëri shpesh një figurë të shënjestruar nga propaganda dhe fushatat e dezinformimit nga Moska. Më pas, ai shërbeu si zëvendëskryetar dhe kryetar i Parlamentit të Ukrainës, ndërsa që nga viti 2019 ishte deputet i partisë pro-evropiane të udhëhequr nga Petro Poroshenko. Vrasja e tij ka shkaktuar tronditje të madhe në politikën ukrainase dhe është cilësuar si një akt i rëndë që ndërlidhet me pasojat e luftës dhe ndikimin e jashtëm në shoqërinë ukrainase.