Kronike
Konflikt apo hesape biznesi? Kush është Kamber Sulçaj që vrau biznesmenin italian, aksioner i një guroreje në Vlorë
Kamber Sulçaj, autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi, nuk është një ermër i panjohur për drejtësinë. 48-vjeçari rezulton që të jetë aksioner në një gurore në Brataj të Selenicës në Vlorë, të quajtur ‘Stone Quramenga”.
Sulçaj është aksioner në këtë gurore me 25%, së bashku me babain e tij Delo Sulçaj i cili ka 20% të aksioneve dhe vëllain Akil alias Ermal Sulçaj me 15% të aksioneve. Në këtë gurore janë aksionerë edhe dy persona të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me familjen Sulçaj. Përpos aksioneve në gurore, Kamber Sulçaj posedon edhe një stan me bagëti.
Por, jo vetëm Kamber Sulçaj, familja e tij rezulton gjithashtu e njohur për drejtësinë. Në maj të vitit 2021, në Vlorë u arrestuan vëllai tjetër i Kamber Sulçajt, Gazmendi, së bashku me një kushëri të tyre Roel Sulçajn. Këta të dy u kapën me 2632 fara kanabisi të cilat do t’i shisnin me qëllim kultivimin.
Autoritet zbardhën ngjarjen dhe identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e vrasjes së biznesmenit italian, Edoardo Sarchi, në Tepelenë, pak pas mesnatës së 27 shtatorit. Kamber Sulçaj është i shpallur në kërkim nga policia për 3 vepra penale; vrasje në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.
Dinamika e ngjarjes:
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës së 27 shtatorit, ku trupi i pajetë i biznesmenit italian u gjet në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit”. 44-vjeçari italian të premten e 26 shtatorit, kishte qenë në shtëpinë e pushimit të dy miqëve shqitparë, Eqerem Braçit e dy djemve të tij, Gazmend e Daniel, në fshatin Salari. Vonë në mbrëmje dolën për gjueti me 2 automjete, ndëra rrugës, pranë mesnatës, u përballën me një tjetër automjet.
Në vendngjarje janë sekuestruar automjetet e Edoardo Sarchit dhe shoqëruesve të tij, si dhe 2 armë gjahu. Gjatë kontrolleve shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në një stan në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë, automjetin dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur 48-vjeçari, gjatë kryerjes së krimit. Gjithashtu u gjet një çantë e hedhur në shkurre, në të cilën ishin 1 palë dylbi me rreze infra, 1 palë dylbi termike, 1 mbajtëse arme dhe 1 elektrik dore.
Më tej, gjatë kontrolleve të kryera në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Vlorës, në banesën e 48-vjeçarit dhe në banesat e familjarëve të tij, në fshatin Mesaplik dhe në Vlorë, u gjetën rreth 2 500 000 lekë (në valutat lekë dhe euro), 3 armë gjahu me municion luftarak (saçme dhe vjaska), 450 fara të dyshuara Cannabisi dhe 2 kasaforta (të mbyllura).