Kronike
“Ishte fejuar me një arkitekte”/ U ekzektutua në Rinas, viktima po përgatitej për dasmën e tij
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i ndodhur në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, ndërsa u plagos punonjësi i AMP-së, Muçi Shaljani (i njohur me nofkën “Sheqeri”). Burime për mediat bëjnë me dije se Dani kishte udhëtuar drejt Barcelonës për arsye personale, pasi po bënte përgatitjet për dasmën e tij.
Ai ishte fejuar së fundmi me një arkitekte dhe po planifikonte të niste një jetë të re. Pavarësisht se kishte një të kaluar me precedentë penalë, Dani nuk kishte marrë masa shtesë sigurie për mbrojtjen e tij. Dyshohet se udhëtimi në Spanjë lidhej drejtpërdrejt me përgatitjet për dasmën, e cila pritej të zhvillohej së shpejti.
Si ndodhi ngjarja?
Atentati mafioz ndodhi mesditën e 11 nëntorit pranë aeroportit të Rinasit, ku nga breshëria e plumbave u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe i plagosur mbeti Muçi Shaljani (Sheqeri). Dani dhe Shaljani po lëviznin me një Benz të bardhë luksoz, kur autorët me një tjetër makinë i zunë pritë dhe i qëlluan me breshëri plumbash.
Në makinën në pronësi të Elvis Kosovës shofer ishte Muçi Shaljani (punonjës i AMP) dhe Dani ishte pasagjer. Gilmando Dani kishte ardhur në Shqipëri nga Barcelona, por u ekzekutua vetëm disa minuta pasi kishte hipur në makinë. Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës dhe kanë qenë me një mjet Toyota Yaris me targa greke. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, makina e përdorur për vrasjen u gjet e djegur në fshatin Halil.