Aktualitet
“Urdhrin e dha…”/ U dhunua në lokal, Nikolin Marku akuzon: Vëllai i ish-deputetit të PS më kërcënoi në spital
E dhunuan në mes të lokalit, Nikolin Marku akuzon vëllanë e ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka, Gëzim Ndokën se ky i fundit ka urdhëruar dhunimin e tij. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në Lezhë, ku sipas burimeve paraprake, në ambientet e lokalit kanë hyrë rreth pesë persona të maskuar, disa prej tyre të armatosur, të cilët dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Markut dhe kanë kërcënuar klientët.
Sipas Markut, mes 5 persona të maskuar, njëri prej tyre është paraqitur si nipi i ish-deputetit, djali i Gëzim Ndokës, e më pas kanë nisur ta dhunojnë. Pre e dhunës ka rënë dhe kushëriri i tij ndërkohë Marku pohoi se gjatë kohës që shkoi sot në spital për mjekim, Gëzim Ndoka e kishte kërcënuar në ambjentet e spitalit.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë:
“Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 12:30, në ambientet e një lokali në Lezhë, shtetasit Gj. M., 41 vjeç dhe N. M., 41 vjeç (kushërinj), dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasit G. N., rreth 53 vjeç dhe K. N., rreth 20 vjeç (babë e bir).
Si pasojë janë dëmtuar shtetasit Gj. M. dhe N. M., të cilët pasi kanë marrë asistencën e nevojshme mjekësore, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit, ku kanë pretenduar se shtetasit G. N. dhe K. N. kanë qenë të armatosur.
Vijojnë kërkime intensive për kapjen e shtetasve G. N. dhe K. N., si dhe një grup i posaçëm hetimor po punon në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.”