Politike
A po hetohet Sara Mile për korrupsion zgjedhor? Braho trondit me deklaratën
Pas paraqitjes së deputetes socialiste Sara Mile në Prokurorinë e Posaçme, kreu i SPAK, Klodian Braho, është pyetur nëse ajo është marrë zyrtarisht nën hetim për korrupsion zgjedhor. Braho nuk ka dhënë një përgjigje konkrete, duke deklaruar se çështja është ende në hetim dhe se nuk mund të bëjë komente për sa kohë hetimet nuk kanë përfunduar.
Gjatë komunikimit me gazetarët, pyetje pati edhe për hetimin e pasurive jashtë vendit. Prokurorja Dorina Bejko deklaroi se hetimet për çështjen për të cilën u pyetën janë mbyllur dhe se materialet do t’i dorëzohen gjykatës.
Një tjetër temë ishte hetimi për ngjarjet e 21 Janarit. I pyetur se përse procesi po zgjat kaq shumë, Braho tha se SPAK ka dërguar kërkesa për ndihmë juridike dhe është në pritje të përgjigjeve.
Kreu i SPAK u pyet gjithashtu për një shkresë të datës 6 nëntor, ku emri i tij përmendet në lidhje me një kallëzim. Braho u shpreh se institucioni qëndron te përgjigjja që i ka përcjellë më herët kallëzuesit.
Në fund, ai tha se nuk kishte të dhëna për numrin e hetimeve të nisura kryesisht nga SPAK dhe rekomandimet e dërguara në prokurori, duke sqaruar se këto informacione do të bëhen publike në kuadër të analizës vjetore.