Aktualitet
Klodiana Lala trondit qeverinë: SPAK ka nisur dosjen “Balluku 2”, shqyrtohen tendera të tjerë!
Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me dosjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila tashmë është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme.
E ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Lala u ndal te deklaratat e kreut të SPAK, Klodian Braho, duke bërë të ditur se, paralelisht me dosjen që ka kaluar për gjykim, prokurorët po verifikojnë edhe procedura të tjera tenderuese.
Sipas gazetares, nga dosja kryesore është ndarë një fraksion që lidhet me tendera të tjerë, të cilët po shqyrtohen nga prokurorët e posaçëm për dyshime mbi shkeljen e barazisë në tendera.
Lala e cilësoi këtë zhvillim si një fazë të re të hetimeve, duke e quajtur “Dosja Balluku 2”. Megjithatë, ajo sqaroi se deri në këtë moment nuk ka persona të regjistruar si të pandehur apo nën hetim në lidhje me këto procedura të tjera.
“Ka nisur verifikimi për procedura të tjera tenderuese, por po kryhet hetimi vetëm për regjistrimin e veprave penale dhe nuk ka persona të regjistruar nën hetim ende”, u shpreh gazetarja.
Pra, bëhet fjalë për verifikime paraprake mbi tendera të tjerë, ndërsa emri i Belinda Ballukut, sipas deklarimeve të Lalës, nuk është regjistruar ende si person nën hetim në këtë fraksion të ri.