Politike
Do të kërkohet sërish arrestimi i Ballukut? Braho: Thelluam hetimet dhe shtuam akuza të reja
Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe 27 të pandehurve të tjerë, mes tyre edhe dy shoqëri tregtare.
Lajmi u konfirmua nga kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një takimi me gazetarët. Sipas gazetares Klodiana Lala, kërkesa për gjykim është depozituar nga prokurori Dritan Prençi.
Gjatë komunikimit me mediat, Braho u ndal edhe te vendimi i Kuvendit për të mos autorizuar heqjen e imunitetit të Ballukut dhe kërkesën e SPAK për arrestimin e saj. Ai e cilësoi këtë vendim si të padrejtë nga këndvështrimi i prokurorisë, por theksoi se institucioni kishte detyrimin ta zbatonte.
Sipas kreut të SPAK, pavarësisht vendimit të mazhorancës, hetimet kanë vijuar dhe gjatë kësaj periudhe janë shtuar edhe tri akuza të reja ndaj ish-zëvendëskryeministres.
“Pavarësisht se vendimi i Kuvendit ishte i padrejtë, SPAK thelloi hetimet dhe shtoi tri akuza të reja ndaj Ballukut. Kjo dëshmon pavarësinë e këtij institucioni. Detyra është të zbardhë çështjen dhe të gjejë prova”, deklaroi Braho.
I pyetur nëse Prokuroria e Posaçme do të paraqesë një kërkesë të re për masë sigurie ose për zëvendësimin e masës aktuale, Braho iu referua qëndrimit të shumicës parlamentare, sipas të cilit zgjerimi i hetimeve nuk përbën në vetvete një rrethanë të re që justifikon arrestimin.
Ai theksoi se SPAK kishte argumentuar kërkesën fillestare pikërisht mbi zgjerimin e hetimeve, por Kuvendi kishte vendosur kufij për vijimin e kësaj procedure.
“Qasja jonë është që kërkesa që kemi bërë në Kuvend duhej të ishte pranuar, por Kuvendi vuri disa kufij dhe jemi në këto kushte”, u shpreh kreu i SPAK.
Aktualisht, ndaj Ballukut vijojnë të jenë në fuqi masat e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe pezullimit nga detyra.
Dërgimi i dosjes për gjykim shënon një fazë të re të procesit penal, ndërsa gjykata do të shqyrtojë akuzat dhe provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.