Politike
Rama: Nëse e lë vajzën jashtë shtëpisë, larg qoftë, mund të dashurohet me ndonjë gangster rus
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që procesi i integrimit të vendeve aspirante në Bashkimin Europian të jetë gradual, por të mbetet i mbështetur te merita. Gjatë fjalës së tij në Forumin e Zgjerimit në Bruksel, Rama kundërshtoi idetë për krijimin e formave alternative të anëtarësimit, duke marrë si shembull propozimin për një status të asociuar për Ukrainën.
Sipas kryeministrit, anëtarësimi pa përmbushur kriteret do të ishte i rrezikshëm, njësoj si të marrësh patentën pa ditur të drejtosh makinën. Ai theksoi se procesi i bazuar në meritë është një mundësi për vendet kandidate, pasi i detyron ato të ndërmarrin reforma dhe të forcojnë institucionet.
Megjithatë, Rama kërkoi që Bashkimi Europian të mos i mbajë vendet aspirante larg strukturave të tij deri në përfundimin e plotë të procesit. Duke iu referuar Planit të Rritjes, ai argumentoi se Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit duhet të afrohen gradualisht me Unionin, për të mos krijuar hapësira për ndikimin e aktorëve të tjerë gjeopolitikë.
Në këtë kontekst, kryeministri përdori një krahasim me familjen e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke paralajmëruar se nëse vendet kandidate lihen jashtë për një kohë të gjatë, ato mund të orientohen drejt ndikimeve ruse apo kineze. Rama shtoi se shqiptarët mbeten të lidhur me perspektivën europiane dhe se, sipas tij, janë të gatshëm të presin më gjatë se vendet e tjera.
Gjatë fjalës së tij, Rama kritikoi gjithashtu politikën e zgjerimit të BE-së, duke thënë se ajo shpesh i ka zhgënjyer vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai rikujtoi periudhën kur procesi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u vonua për shkak të vetos bullgare, të cilën e cilësoi si një periudhë poshtërimi.
Duke iu referuar ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl dhe ribashkimit të Gjermanisë, Rama tha se Europa duhet të gjejë një moment të ngjashëm politik, ku vendet e rajonit të trajtohen si pjesë e së ardhmes së përbashkët europiane. Ai përsëriti thirrjen që institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare t’i sjellin të shtatë vendet aspirante rreth tryezës së përbashkët.