Kronike
Vrau 57 vjeçarin me çekiç pas një parakalimi, Policia arreston 28 vjeçari
Andi Vokri, 28 vjeçari i akuzuar si autor i dyshuar i vrasjes me çekiç të Petrit Ndout, në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryqëzimin e Thumanës, është arrestuar nga Policia e Shtetit. Në pranga, kanë rënë dhe dy miqtë që ishin me të dhe u larguan pas krimit.
Nga hetimet ka rezultuar se më datë 20.01.2026, rreth orës 01:00, në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, në afërsi të urës së Bushneshit, këta tre shtetas, ndërkohë që qarkullonin në një automjet, janë konfliktuar verbalisht me Petrit Ndoun, i cili qarkullonte me automjetin e tij.
Më pas, shtetasi Andi Vokri ka goditur me çekiç në kokë 57 vjeçarin, i cili si pasojë ka humbur jetën. Ndërkohë, dy miqtë e autorit, shtetasit L. G. dhe F. K, janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe nuk kanë treguar në Polici për krimin dhe rrethanat e tij.
Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për zbardhjen e dinamikës së konfliktit të ndodhur në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, u arrestuan shtetasit:
– A. V., 28 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Vrasja me dashje”;
– L. G., 26 vjeç dhe F. K., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete dhe mjeti me të cilin dyshohet se është kryer krimi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Sipas të dhënave paraprake, mësohet se konflikti mes 57-vjeçarit dhe të riut Andi Vokri ka filluar për motive banale se kush do të kalonte i pari në rrugë. Ndou u godit me një çekiç nga 28-vjeçari dhe fatkeqësisht humbi jetën në vendin e ngjarjes.