Connect with us

Kosova

Realiteti politik rrezikon ta çojë Kosovën drejt një krize të re/ President i ri ose zgjedhje të reja

Mandati i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, përfundon me 4 prill. Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë.
Nëse edhe në votimin e tretë asnjë kandidat nuk merr votat e nevojshme shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
Themelimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të dhjetorit është zvarritur pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua t’i rinumërojë të gjitha votat në gjithë vendin, pas dyshimeve për manipulim të votave në të kandidatëve për deputetë të Kuvendit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se synon të bashkëpunojë me opozitën, qoftë për rizgjedhjen e Osmanit apo edhe për zgjedhjen e një presidenti të ri. Sipas tij tema e presidentit do të tregojë nëse ka atmosferë për një raport të ri qeveri-opozitë.
“Për formimin e qeverisë nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave kur nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare e deri te rizgjedhja e presidentes apo zgjedhja e presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Por, nga ana jonë gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do ta shohim se a ka gatishmëri e interesim edhe nga opozita”, tha Kurti.
Kurti nuk e ka përjashtuar më parë mundësinë edhe të zgjedhjeve të tjera, në rast se nuk ka marrëveshje me opozitën për presidentin.
Ai tha se komunikon me Osmanin dhe se para se zgjedhja e presidentit të vijë në rend dite, ka edhe çështje të tjera që kërkojnë mbështetjen e opozitës.

Advertisement