Sport
Edon Zhegrova është rikthyer, por Juventusi ende ka dyshime për shqiptarin
Edon Zhegrova ka treguar rritje të ndjeshme të formës në paraqitjet e fundit me Juventus-in, duke sjellë më shumë energji dhe dinamizëm në repartin ofensiv të “Zonjës së Vjetër”.
Megjithatë, klubi torinez duket se ende nuk është plotësisht i bindur për rolin e tij në projektin afatgjatë të skuadrës.
Sipas gazetarit italian Romeo Agresti, i njohur për afërsinë e tij me ambientin e Juventus-it, anësori i Kosovës ka bërë përparime të dukshme, veçanërisht në aspektin fizik dhe në ritmin e lojës.
“Zhegrova ka treguar përparim në aspektin e formës fizike dhe i ka sjellë energji ekipit në paraqitjet e tij të fundit kur është thirrur”, raportohet nga Agresti.
Megjithatë, pavarësisht këtyre sinjaleve pozitive, e ardhmja e tij në Torino mbetet ende e paqartë. Sipas të njëjtit burim, drejtuesit e Juventus-it po monitorojnë tregun e anësorëve sulmues përpara sezonit të ardhshëm, çka do të thotë se roli i Zhegrovës në skuadër nuk është përcaktuar ende përfundimisht.