Bota
Mbi 168 mijë ushtarë rusë të vrarë në tri beteja, humbjet e rënda të Putinit
Mbi 168 mijë ushtarë rusë vlerësohet të jenë vrarë në tri nga betejat më të përgjakshme për kontrollin e Donbasit, në Avdiivka, Pokrovsk dhe Bakhmut. Shifrat bëhen publike nga një analizë e “Financial Times”, sipas së cilës këto luftime përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të humbjeve njerëzore të ushtrisë ruse në Ukrainë.
Sipas analizës, më shumë se 120 mijë ushtarë rusë dyshohet se kanë humbur jetën në zonat e Avdiivkës dhe Pokrovskut, ndërsa rreth 48 mijë të tjerë në betejën për Bakhmutin. Të marra së bashku, këto humbje përfaqësojnë rreth 37% të numrit të përgjithshëm të ushtarëve rusë të vrarë që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.
“Financial Times” e vlerëson numrin e përgjithshëm të ushtarëve rusë të vrarë në të paktën 450 deri në 464 mijë. Megjithatë, duke përfshirë edhe vdekjet që nuk janë raportuar zyrtarisht, bilanci mund të jetë më i lartë. Sipas publikimit, deri në gusht 2026 numri mund të ketë arritur në 550 mijë, ndërsa nëse ritmi i humbjeve vazhdon, deri në fund të vitit mund të shkojë në 650 mijë.
Ndërkohë, një vlerësim i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, i publikuar në janar 2026, fliste për rreth 1.2 milionë viktima ruse. Kjo shifër, megjithatë, përfshin jo vetëm të vrarët, por edhe ushtarët e plagosur dhe të zhdukur, ndaj nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt me numrin e të vrarëve.