Aktualitet
Helmimi i fëmijëve në kopshtin në Vlorë/ Kërkohet sekuestrimi i ujit dhe ushqimit
Rastet e dyshuara të helmimit të fëmijëve në kopshtin nr. 10 dhe të banorëve në Vlorë kanë përfunduar në Prokurori. Qendra e Shërbimeve Ligjore Evropiane (CELS) ka depozituar kallëzim penal, duke kërkuar hetim të menjëhershëm për të përcaktuar shkakun e problemeve shëndetësore dhe përgjegjësit e mundshëm.
Kallëzimi është dorëzuar më 11 nëntor 2026 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Sipas organizatës, që prej 6 nëntorit dhjetëra fëmijë dhe të rritur kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre dhe temperaturë. CELS pretendon se analizat e raportuara për depozitën e ujit në kopsht kanë evidentuar mungesë klori dhe tregues të ndotjes fekale. Megjithatë, deri tani nuk ka një konkluzion zyrtar që të përcaktojë shkakun e rasteve të raportuara.
Përmes kallëzimit, CELS i kërkon Prokurorisë të regjistrojë procedimin penal dhe të sekuestrojë urgjentisht mostrat e ujit dhe ushqimit, si dhe dokumentacionin që lidhet me procesin e klorinimit dhe mirëmbajtjen e depozitave.
Organizata kërkon gjithashtu ekspertime të pavarura mikrobiologjike, kimike, teknike dhe mjeko-ligjore, me qëllim përcaktimin e shkaqeve dhe identifikimin e personave që mund të mbajnë përgjegjësi.
Në reagimin e saj, CELS thekson se kallëzimi është bërë në interes publik dhe se synimi nuk është akuzimi i personave të caktuar, por zhvillimi i një hetimi të shpejtë dhe të bazuar në prova.
“Kallëzimin e bëmë në interes publik, sepse fëmijët nuk mund t’i mbrojnë vetë të drejtat e tyre. Nuk akuzojmë asnjë person me emër. Kërkojmë një hetim të shpejtë, të pavarur dhe me prova, që të gjitha familjet të marrin përgjigje”, thuhet në deklaratën e organizatës.
CELS ka njoftuar se do të ofrojë këshillim dhe ndihmë juridike falas për familjet e prekura, duke i këshilluar të ruajnë dokumentacionin mjekësor dhe faturat e shpenzimeve.