Sport
Juventusi nxjerr në shitje Zhegorvën për të mbledhur fonde për investime në sulm
Juventus-i thuhet se po planifikon një tjetër ristrukturim në repartin ofensiv gjatë merkatos së verës, me bardhezinjtë që synojnë të afrojnë një sulmues të ri për sezonin e ardhshëm.
Një nga emrat më të përfolur për një rikthim në Torino është Randal Kolo Muani. Sulmuesi francez, i cili është në pronësi të Paris Saint-Germain, aktualisht luan në huazim te Tottenham.
Kolo Muani nuk ka arritur të bindë plotësisht në aventurën e tij në Angli. Për këtë arsye, një rikthim te Juventus-i shihet si një mundësi reale, sidomos duke pasur parasysh se më parë ai kishte kaluar një gjysmë sezoni shumë pozitiv me klubin torinez.
Sipas raportimeve, PSG-ja mund të kërkojë rreth 40 milionë euro për kartonin e sulmuesit. Për të siguruar fondet e nevojshme për këtë operacion, Juventus-i po mendon të sakrifikojë dy lojtarë në merkato.
Sipas gazetarit italian Nicolo Ceccarini të “TMW”, bardhezinjtë mund të nxjerrin në shitje Edon Zhegrovën dhe Lois Openda-n.
Zhegrova, pavarësisht përmirësimit në ndeshjet e fundit, ende nuk e ka të sigurt vendin në skuadër dhe ka tërhequr interes nga klube si Everton, Monaco, Marseille, si edhe nga disa skuadra në Turqi.
Ndërkohë, Openda është aktualisht në huazim nga RB Leipzig, por për shkak të klauzolave të detyrueshme ai pritet të blihet për pak më shumë se 40 milionë euro në verë.
Megjithatë, sipas raportimeve, Juventus-i nuk planifikon ta mbajë sulmuesin belg dhe synon ta shesë menjëherë pas përfundimit të sezonit, pas një edicioni që konsiderohet zhgënjyes për të.