Aktualitet
Goditet një tjetër rast i basteve në Tiranë, arrestohet administratori i lokalit
“Tiranë/Vijojnë kontrollet për goditjen e rasteve të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Finalizohet operacioni policor “Multi games 2”. Vihet në pranga administratori i një lokali ku organizoheshin lojëra fati. Sekuestrohet 1 njësi kompjuterike dhe 1 celular.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Multi Games 2”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Si rezultat i kontrolleve është evidentuar një rast i kësaj veprimtarie.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi G. B., 25 vjeç, pasi në lokalin që ai administronte, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, organizoheshin lojëra fati në anë të kompjuterit dhe celularit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”