Aktualitet
Rrëfimi prekës i nënës që humbi të birin 26-vjeçar në krye të detyrës në ’97
29 Nëntori e gjeti Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës ende në rikonstruksion, por kjo nuk i pengoi familjarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të zhvillonin homazhe simbolike në nderim të të rënëve për atdheun.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë familjarë të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të efektivëve të rënë në krye të detyrës, si dhe drejtues të Prefekturës, përfaqësues të pushtetit vendor dhe deputetë.
Mes tyre ishte edhe 80-vjeçarja Dila Lasku, e cila kishte ardhur nga Maminasi për të kujtuar të birin, Arben Laskun. Ai humbi jetën në moshën 26-vjeçare, në krye të detyrës, gjatë trazirave të vitit 1997.
Me dhimbje, nëna kujton momentin kur i biri u vra në Laç të Vaut të Dejës, pasi u qëllua me armë zjarri në kokë, ndërsa shokët e tij mbetën të plagosur.
Pavarësisht mirënjohjes për vëmendjen që Policia e Shtetit i ka kushtuar ndër vite pas humbjes së të birit, këtë 29 Nëntor Dila u largua me një peng të madh. Për shkak të punimeve në Mauzole, ajo nuk mundi të vendoste lule pranë pllakës përkujtimore të Arbenit.
“80 vjeçe sot e pata mall me shkuar te çuni im sot”, u shpreh ajo mes lotësh.
Për sa kohë rikonstruksioni nuk ka përfunduar, familjarëve të dëshmorëve do t’u duhet të presin për t’u rikthyer pranë vendit ku kujtojnë të dashurit e tyre.