Politike
Paloka: Pa zgjedhje të lira nuk ka demokraci, protestat janë e vetmja rrugë
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një intervistë ka përsëritur qëndrimin e opozitës lidhur me situatën politike në vend, duke theksuar se kërkesat e protestave mbeten të pandryshuara.
Ai u shpreh se në Shqipëri demokracia është cënuar rëndë dhe se mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme i lë qytetarëve si alternativë të vetme reagimin përmes protestave.
Edi Paloka: Kërkesat ngelen po ato që janë shpallur prej kohësh. Në një vend ku demokracia ka vdekur praktikisht, nuk ka zgjedhje të tjera dhe jo vetëm kaq, por dhe ajo e famshmja drejtësi e reformuar për të cilën Rama deri dje mburrej, vdiq edhe ligjërisht. Pasi vetë, thashë, ai që mburrej, që e kishte sjellë në jetë, madje po t’ju kujtoj fjalët e tij edhe pa ndihmën e as të amerikanëve, as të tjetërkujt. Po ky i vetëm pra e solli këtë drejtësi të pavarur e cila do të kishte të gjitha hapësirat e lirisë dhe kurrë nuk do të pengohej nga politika, kryesisht nga kjo mazhorancë, sipas deklarimeve të djeshme pra. Papritur, me dorën e autorit në thonjëza, të atij që e krijoi, vdiq.
U vra, u ekzekutua. Pra, dhe e fundit që kishte mbetur, e fundit, edhe një herë e përsëris, në propagandë, sepse për ne kishte vdekur me kohë, edhe të fundit ky e dekapitoi vetë. Kështu që nuk ka më asnjë arsye dhe gjithë jeta është e tillë që qoftë në aspektin ekonomik, financiar, shoqëror, politik, në të gjitha fushat, nuk ka më asnjë arsye që shqiptarët të vazhdojnë e të presin apo të shpresojnë që gjërat do të ndryshojnë për mirë. Kur çdo ditë e më shumë tregohet që gjërat po shkojnë më keq. Pra po del ajo që ne ju kemi thënë prej kohësh, në një vend ku mungon demokracia, ku nuk ka zgjedhje të lira, ku nuk vendos populli, por një regjim dhe një, një i çmendur për më tepër në krye të këtij regjimi, gjërat nuk mund të përmirësohen, vetëm do përkeqësohen dhe kjo është vërtetuar çdo ditë.
Kështu që, thashë, kërkesa dhe qëllimi i protestave është ai që është shpallur që në fillimet e tyre. Dhënia e një mundësie shqiptarëve të votojnë lirisht duke i ofruar zgjedhje të tjera dhe të ndershme nga një qeveri teknike dhe jo nga kjo qeveri që është sot, sepse ka 13 vjet që e vërteton që sa të jetë Rama aty, nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe përderisa në një vend nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk ka demokraci, qytetarëve të atij vendi nuk ju ngelet gjë tjetër veçse të protestojnë për të kërkuar këtë pra që sapo thashë.