Politike
Karriget përmbys para Kryeministrisë, Meta përshëndet protestën e pedagogëve
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur mbështetjen për protestën e pedagogëve në Tiranë, përmes një mesazhi të publikuar nga burgu. Meta e ka cilësuar tubimin si një “demonstrim të shkëlqyer të ndërgjegjes shoqërore”, duke vlerësuar guximin dhe qëndrimin e pedagogëve në mbrojtje të arsimit.
Në reagimin e tij, ish-presidenti u ka bërë thirrje qytetarëve të mbështesin pedagogët, gjimnazistët dhe të rinjtë shqiptarë, duke e lidhur protestën me shqetësimet për cilësinë e arsimit, largimin e të rinjve nga vendi dhe zbrazjen e auditoreve universitare.
“Protesta e pedagogëve është një demonstrim i shkëlqyer i ndërgjegjes shoqërore të nivelit më të lartë! Mirënjohje të përzemërt për guximin, dinjitetin dhe zërin e fuqishëm të pedagogëve në mbrojtje të Arsimit, kundër zbrazjes së auditoreve dhe shpopullimit dramatik të Shqipërisë nga të rinjtë. Të mbështesim pedagogët, gjimnazistët, të rinjtë dhe të gjithë fëmijët e Shqipërisë për një arsim cilësor dhe dinjitoz, për një Atdhe të përparuar të njerëzve të ditur. PA RINI NUK KA SHQIPËRI!”, shkruan Meta.
Protesta u zhvillua pas ftesës së kryeministrit Edi Rama për dialog me përfaqësuesit e pedagogëve dhe të rinjve. Gjatë tubimit, pjesëmarrësit marshuan drejt Kryeministrisë, ku përmbysën karriget e vendosura për zhvillimin e takimit dhe grisën pankartat me mbishkrimin që lidhej me dialogun.
Protestuesit kërkuan gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit, duke vijuar kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë. Zhvillimet tregojnë se ftesa për dialog nuk e ka zbutur pakënaqësinë e shprehur në rrugë, ndërsa kërkesat e protestuesve mbeten në qendër të debatit për arsimin dhe të ardhmen e të rinjve në Shqipëri.