Kosova
Anashkalimi i Kosovës i papranueshëm/ Ben Andoni: Shqipëria po futet në një trase të rrezikshme me Serbinë
Gazetari Ben Andoni ka komentuar zhvillimet e fundit politike në rajon, duke u ndalur veçanërisht te raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë, situata në Kosovë dhe sfidat demokratike brenda vendit.
Në analizën e tij, Andoni ngriti shqetësime mbi afrimin e Tiranës me Beogradin në një kohë kur, sipas tij, Serbia po ndjek një linjë gjithnjë e më agresive dhe destabilizuese në Ballkan.
Ai kritikoi hapur nismat e përbashkëta me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, duke theksuar se anashkalimi i Kosovës në këto procese është i papranueshëm dhe potencialisht i rrezikshëm për balancat në rajon.
Sipas Andonit, retorika dhe veprimet e fundit të Serbisë tregojnë një tendencë për të krijuar tensione artificiale, që mund të përshkallëzohen nëse dobësohet prania ndërkombëtare në Kosovë.
Duke iu referuar zhvillimeve të sigurisë, ai paralajmëroi se çdo reduktim i forcave ndërkombëtare në Kosovë mund ta ekspozojë vendin ndaj presioneve të vazhdueshme nga Serbia.
Në këtë kontekst, Andoni përmendi edhe elementë të lidhur me grupet e armatosura në veri, duke i cilësuar si sinjale alarmi për një strategji më të gjerë destabilizimi.
Në planin e brendshëm, gazetari u ndal edhe te situata politike në Shqipëri, ku theksoi se vendi po përballet me një rrezik të theksuar të deformimit demokratik. Ai vlerësoi se qeverisja ka marrë tipare autokratike, ndërsa përgjegjësia nuk bie vetëm mbi individë, por edhe mbi shoqërinë që, sipas tij, shpesh toleron ose ushqen këto fenomene.
Andoni bëri thirrje për një reagim më të fortë nga institucionet, elitat dhe qytetarët, duke nënvizuar nevojën për zgjedhje të lira, reforma reale dhe respektim të ligjit nga partitë politike.
Ai theksoi se Shqipëria ka potencialin për t’u integruar denjësisht në Bashkimin Europian, ashtu si vende të tjera që kanë kaluar sfida të ngjashme, por kjo kërkon standarde më të forta demokratike dhe vullnet politik të qartë.
Deklarata e plotë:
“Serbia bën një aktivitet të jashtëzakonshëm për gjithë Europën Lindore dhe Juglindore.
Ai do i duhet që ta marri të gjithë trashëgiminë e saj, por gjënë që nuk pranoj është letra e përbashkët që ai bëri me zotin Vuçiç.
E para se anashkaloi Kosovën, e dyta, na futi në një trase me Serbinë, ndërkohë që Serbia, në qoftë se po e ndjekim me kujdes, përditë e më shumë po shton tonuset dhe një rrezik imagjinar mbi vendin e vet dhe më besoni për këtë.
Gjëja e madhe është që në qoftë se lajmi i cili po theksohet gjithmonë e më shumë nga autoritetet amerikane për të reduktuar forcat dhe në qoftë se do ketë ulje të forcave në Kosovë, Kosova bëhet një vend i cili do jetë vazhdimisht nën agresionin serb.
Po jua them këtë sepse elementët që kanë gjetur në infrastrukturë të bandës së Bajskës ishin gati për një pushtim të veriut të Kosovës pak nga pak.
Dhe më besoni, ky është shqetësimi, është e pamundur që ti të futesh në një trase me një individ i cili do e destabilizojë Ballkanin.
E ka destabilizuar deri tani Federatën e Bosnje-Hercegovinës, po shumë shpejt do mundohet ta bëjë këtë dhe për Kosovën.
Prandaj në këtë sens po mendoj që zoti Rama duhet të shikojë më shumë pjesën e demokracisë në vendin tonë. Duhet të arrijë të kuptojë tani që ka marrë karakter autokratik dhe kjo duket.
Dhe mbi të gjitha, individët shqiptarë, dhe këtë duhet ta theksojmë fort, nuk është vetëm një njeri që e bën autokracinë.
Është një shoqëri e cila e mbron autokracinë dhe tani ka ardhur koha që institucione, individë, personalitete të Shqipërisë ta ngrenë zërin vazhdimisht, sepse s’mund të ngeli vetëm në pak zëra të tregojnë shqetësimet e vendit tonë.
Ndërkohë që të tjerët vetëm vegjetojnë. Prandaj e shikoj real shqetësimin. Do pres më shumë vëmendje si të gjithë shqiptarët relacionin e datës nëntë.
Po unë personalisht besoj që Shqipëria, ashtu siç ka ndodhur dhe me vende të tjera të Bashkimit Europian dhe këtu kam në kokë Portugalinë, Greqinë, madje dhe Kroacinë, sepse Kroacia keni, po ta njihnit shumë më mirë, është vend jo pak problematik.
U pranua në familjen europiane dhe po bëjnë jetën e tyre në familjen europiane. E vetmja gjë është që zoti Rama duhet të arrijë të kuptojë tashmë që ka ardhur koha që Shqipëria të ketë gjithmonë e më shumë kanone demokratike, të ketë zgjedhje normale, të lira, të pranueshme.
Të ketë një ligj partish të mirë, sepse më vjen keq ta them, të dyja partitë kryesore jo vetëm nuk e respektojnë ligjin e partive, por në mënyrën se si sillen, ashtu po sillen edhe me kushtetutën e vendit tonë dhe me mënyrën si ecën.
Dhe besoj që Shqipëria të shkojë atje ku e meriton domethënë. Dhe uroj të paktën që e ardhmja të jetë për njerëz që e duan këtë vend”.