Kosova
Kurti: S’ka vend për relaksim, Serbia ka 48 baza ushtarake pranë kufirit me Kosovën
Kryeministri Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Londrës për Mbrojtje, ka deklaruar se aktualisht nuk ka arsye për relaksim, pasi Serbia ka 48 baza ushtarake përreth kufirit me Kosovën.
Ai ka thënë se është e rëndësishme të ndërtohet qëndrueshmëri dhe adaptueshmëri në raport me këtë sfidë.
“Nuk ka arsye për shumë relaksim, si të thuash, sepse Serbia është një ‘proxy’ i Rusisë dhe atje janë 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit të shtetit tim. Të gjitha janë në atë që quhet zonë e sigurisë e NATO-s. Kremlini ka një zyrë brenda Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë në Beograd, ndërsa qendrat rajonale të Russia Today dhe Sputnik për Ballkanin janë në Serbi”, deklaroi Kurti.
Sipas Kurtit, dekada e ardhshme mund të jetë e Bashkimit Evropian, por vetëm nëse menaxhohen disa sfida të caktuara.
“Mendoj që, nëse Bashkimi Evropian arrin të menaxhojë sfida të caktuara në këtë dekadë, dekada e ardhshme lehtë mund të jetë dekada e BE-së. Këtu jam shumë optimist se NATO-ja, veçanërisht Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, mund të luajnë një rol të madh”.
Gjatë fjalimit të tij, ai ka përmendur edhe rëndësinë e zhvillimit të industrisë ushtarake, përkatësisht prodhimit të armëve dhe municionit, si dhe edukimin e të rinjve.
Kurti po qëndron për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar; ai ka udhëtuar të enjten.