Kosova
Ministri britanik në Kosovë riafirmon angazhimin për stabilitet rajonal
Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Lord Vernon Coaker, ka njoftuar se ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Kosovë, me qëllim riafirmimin e angazhimit për stabilitetin rajonal dhe mbështetjen e përhershme ndaj KFOR-it.
“Kam vizituar Kosovën për të riafirmuar angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për stabilitetin rajonal dhe mbështetjen tonë të përhershme për KFOR-in. Ishte një privilegj të takoja ushtarët britanikë dhe të bashkëbisedoja me partnerët kosovarë. Ndjehem i nderuar që vendosa një kurorë lulesh te Memoriali i KFOR-it britanik, duke kujtuar ata që shërbejnë për të ruajtur paqen”, ka shkruar Coaker në rrjetin social ‘X’.
Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar, në vitin 2022, kishin nënshkruar një deklaratë që parashikonte bashkë-zbarkimin e forcave të dy vendeve në misione ushtarake.
Deklarata e përbashkët kishte për qëllim koordinimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë britanike në misionet ku angazhohet Mbretëria e Bashkuar.
Kjo marrëveshje ishte konsideruar një arritje e madhe për Kosovën, pasi përmes saj riafirmohej besueshmëria e Qeverisë britanike dhe mbështetja ndaj kapaciteteve të forcave të vendit.
Po ashtu, gjatë vitit të kaluar ishte diskutuar për përgatitjen e një marrëveshjeje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim avancimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.