Politike
Artan Fuga kundër paraburgimit: President, ministër apo kryebashkiakë duhet të…
Akademiku Artan Fuga është i mendimit se njerëzit që hetohen nuk mund të mbahen pas hekurave, por të dënohen pasi janë gjykuar.
Ai shkruan në një postim në Facebook nuk ka përse të ekzistojë “ndrojtja se prish provat”, pasi sipas Profesor Fugës, dokumentet sekuestrohen dhe bashkëpunëtorët e “mpleksur” vihen para ligjet që pengimi i drejtësisë është krimi më i madh.
Reagimi i plotë:
Prokurori sadist si teoricien i demokracisë!
Vite më parë më ra në dorë një libër i shkruar nga Bedri Spahiu ku ai bën një lloj kërkese falje për dënimet e dhëna prej tij si prokuror në vitet e para pas çlirimit të vendit nga nazistët, pra në gjysmën e dytë të viteve ’40.
Dihet historia e tij. Partizan, orator komunist, dhe pas çlirimit të vendit në funksione shumë të larta në parti dhe në pushtet derisa në mesin e viteve ’50 përfundon edhe ai në burg, dhe në internime deri sa ra komunizmi.
Më pas ai boton një libër ku përmblidhet një lloj ditari i kalvarit të tij, refleksione, kujtime, letra që nga biruca i dërgonte kryeministrit të kohës, Mehmet Shehut, etj.
Në një moment Bedri Spahiu ndalet te statusi i të burgosurit në rregjimin dikatorial. Pak a shumë thotë se sa kohë një i burgosur nuk do të ketë të drejta atje në birucë, asnjë njeri jashtë burgut nuk është i sigurt se një ditë nuk do ta rrasin brenda edhe atë. Këtë ai e bazonte te fakti se të burgosurve pa të drejta iu merreshin pohime fallco kundër atyre që ishin jashtë burgut, dhe përdoreshin në luftën për pushtet!
Bedriu sikur ja ndjell se çdo t’i ndodhte Mehmetit 25 vjet më pas. Deponime që një Zot e di si ishin marrë e groposën edhe këtë të dytin.
Prandaj librin e Bedri Spahiut, një prokuror kriminel, e quaj librin më të mirë në shqip në shkencat politike. Aty ai hedh idenë e fortë se fati i atyre jashtë burgut është në dorë të atyre që janë në qeli. Ai nënthotë se fati i demokracisë vendoset pra në burg. Aty nis zbatimi i të drejtave të njeriut.
Duket sikur burgu, vetmia, privimi i lirisë, qelia, hapsana, e bën edhe prokurorin komunist, sadist të egër, filozof të demokracisë!
Kthimin e persekutorit në martir e njohim edhe në rastin e Shën Palit!
Por, jo vetëm!
Kjo nuk duhet harruar kurrë. I burgosuri mund të jetë akuzuar për vrasje, për vjedhje, për konspiracion kundër shtetit, për vjedhje, për shpifje, për aksidente me pasoja të rënda, për abuzim me pushtetin, për tradhëti, për abuzim me tenderat, për korrupsion, për shkelje të barazisë në tendera, për çfardo gjëje, në çdo rast ai duhet të ketë të drejta deri në një.
Të kuptohemi, jo vetëm për atë që është qeli, por edhe për ata që janë jashtë telave me gjëmba!
Edhe kur është shpallur fajtor me vendim gjykate Edhe kur është i akuzuar dhe ndodhet duke u hetuar në gjendje të lirë.
Mbi të gjitha, sido ta ketë emrin, çfardo posti të ketë mbajtur, president, ministër, kryeministër, kryetar bashkie, apo ka qenë murator, biznesmen, sportist, shkrimtar, pak rëndësi ka, përgjithësisht hetohet në gjendje të lirë derisa gjykata vendos për fajësinë apo pafajësinë e tij apo të asaj.
Kjo nënkupton që gjithkush që i provohet fajësia duhet t’ja shlyejë shoqërisë sipas ligjit dëmin e madh që i ka bërë.
Ama pasi është shpallur fajtor. Nuk ka përse të ekzistojë ndrojtja se prish provat. Dokumentet sekuestrohen. Bashkëpuntorët e mpleksur vihen para ligjet që pengimi i drejtësisë është krimi më i madh. Mbi të gjitha siç ndodh në Evropë nuk ka përse veprat penale të dikujt mblidhen për t’u dënuar njëherë e mirë. Cdokush nëse ka bërë faje dënohet për ato faje që vërtetohen. Nëse ka të tjera më pas, ka përsëri gjykime.
Por, nuk mund të mbahet mendoj dikush qoftë vjedhës tenderash, qoftë vjedhës xhepash me muaj a me vite në paraburgim, që është burg, sepse hetohet!
Kjo sepse prej dekadash, më vjen ndërmend letra e prokurorit kriminel drejtuar nën dikaturë kryeministrit diktator se qetësia jote nis nga unë këtu në qeli.
Se demokracia nis në burg!
Po deshët : Në paraburgim!
Pa të drejta, secili nga ne të pafajshmit është fajtor, lëre ata që janë në paraburgim!