Kosova
Mesazhet e Marta Kos për Kosovën
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, pavarësisht se kishte shtyrë vizitën e saj në Kosovë disa herë për shkak të krizës politike në vend, e gjeti sërish Kosovën me institucione në detyrë.
Gjatë takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, mesazhet e Marta Kos ishin të qarta dhe nuk lanë vend për interpretim. Ajo kërkoi që institucionet të jenë të qëndrueshme, duke theksuar se pa stabilitet institucional, përparimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian mbetet në rrezik.
Kos paralajmëroi qartë se të gjithë aktorët politikë duhet të gjejnë një mënyrë për të rikthyer funksionimin normal të institucioneve, duke nënkuptuar se mungesa e kompromisit dhe përplasjet e vazhdueshme politike po pengojnë integrimin evropian. Ajo gjithashtu paralajmëroi se BE-ja nuk mund të intensifikojë angazhimin e saj derisa Kosova të arrijë një nivel të pranueshëm stabiliteti.
Kos vlerësoi potencialin evropian të Kosovës, por theksoi se çdo hap përpara në këtë drejtim është i lidhur ngushtë me aftësinë e politikës për të kapërcyer ndasitë dhe për të garantuar funksionimin e institucioneve dhe se intensiteti i bashkëpunimit të BE-së me Kosovën do të rritet vetëm kur këto kushte të jenë përmbushur.
Në anën tjetër, pesë shtete evropiane – Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro – vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por ende nuk ka kaluar as fazën e parë formale: shqyrtimin nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimin për opinion në Komisionin Evropian.
Në muajin prill, ekzekutivi ka themeluar Komitetin Ekzekutiv për anëtarësim në BE, me qëllim dinamizimin e procesit dhe sigurimin e koordinimit ndërinstitucional. Përmes këtij vendimi, është autorizuar edhe krijimi i një task-force specifike.