Politike
Çfarë fshihet pas referendumit në PD? Kthupi komenton lëvizjen e Sali Berishës
Analisti Rezart Kthupi ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, duke deklaruar se qëllimi i Sali Berishës është të mos lejojë krijimin e figurave të reja brenda partisë.
Kthupi u shpreh se Partitë Popullore Europiane mbeten “e vetmja derë e hapur” për kreun e PD-së në arenën ndërkombëtare.
“Partitë Popullore Europiane janë e vetmja derë e hapur e Sali Berishës. Është një grupim që e toleron për shkak se ligjërisht ai është kryetari i partisë”, deklaroi Kthupi.
Sipas tij, pengesat e krijuara në garën për drejtimin e Partisë Demokratike synojnë të bllokojnë çdo alternativë të re politike brenda selisë blu.
“Qëllimi është të mos lejojë që të fillojë asnjë filiz i ri në Partinë Demokratike. Ajo që kërkon Berisha është një grumbullim besnikësh. Në PD nuk ka për qëllim të ndryshojë liderin”, tha ai.
Kthupi komentoi edhe aspektin ligjor të procesit, duke paralajmëruar se ekziston mundësia që Gjykata të pezullojë përkohësisht zgjedhjet në parti deri në shqyrtimin e plotë të padive të depozituara.
“Mundësia është që Gjykata mund ta pezullojë përkohësisht procesin, për sa kohë çështja do të shqyrtohet në themel. Zbatimi i takon PD-së. Neni Basha nuk lejon Berishën të kandidojë. Referendumi në PD synon të heqë ‘Nenin Basha’”, u shpreh analisti për “Abc News”.
Deklaratat e Kthupit vijnë pasi kandidati i përjashtuar nga gara për kreun e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i është drejtuar me një letër Partive Popullore Europiane, ku shpreh shqetësime për bllokimin e garës, mosrespektimin e statutit dhe përjashtimet arbitrare të kandidatëve.
Në letrën e tij, Salianji thekson se në Partinë Demokratike po dëmtohen standardet demokratike dhe pluralizmi i brendshëm.
