Kronike
Shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave, arrestohen 7 persona në Laç
Shtatë persona kanë rënë në prangat e policisë në Laç, pas një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Lezhës dhe FNSH Tiranë, ndaj një grupi të dyshuar për shpërndarje droge në afërsi të shkollave.
Sipas hetimeve, të dyshuarit siguronin lëndë narkotike Cannabis Sativa, e ndanin në doza dhe e shpërndanin në zona të ndryshme të Laçit si dhe në afërsi të shkollave.
Policia bëri të ditur se katër persona u ndaluan me urdhër të prokurorisë, ndërsa dy të tjerë u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Policia sekuestroi doza të lëndës narkotike Cannabis Sativa, telefona celularë dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për shpërndarjen e drogës dhe organizimin e lojërave të fatit.
Gjatë operacionit u zbulua edhe një lokal ku organizoheshin lojëra fati me kompjuterë, në kundërshtim me ligjin. Në lidhje me këtë rast u arrestua pronari i lokalit, i cili dyshohet se nuk kishte regjistruar aktivitetin dhe punonjësit në organet përkatëse. Sipas policisë, ai është babai i dy prej personave të arrestuar në kuadër të operacionit.
“Sektori për Hetimin e Narkotikëve, Seksioni i Mbështetjes Operacionale dhe Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “Perimetri 2”.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarie kriminale, ndalimi i 4 shtetasve dhe arrestimi në flagrancë i 2 të tjerëve, të gjithë banues në Laç, Kurbin, si të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike Cannabis Sativa, të cilën e ndanin në doza dhe e shitnin në zona të ndryshme në qytetin e Laçit, në disa raste edhe afër shkollave.
Gjithashtu, gjatë operacionit, u zbulua 1 lokal ku organizoheshin lojëra fati, me kompjuterë, në kundërshtim me ligjin. Për këtë rast, u arrestua pronari i lokalit, babai i 2 prej shtetasve të arrestuar, i cili nuk e kishte regjistruar subjektin dhe punonjësit, në organet kompetente.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.