Kosova
Tekat e pushtetit/ Nga Kuvendi te kutitë e votimit, Kosova në spiralen e krizave politike
Një rol i konceptuar si kryesisht ceremonial ka marrë një peshë që i tejkalon vetë kompetencat e tij. Presidenti është kthyer në nyjën e krizës politike në Kosovë, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja, por pa garanci se ato do të prodhojnë zgjidhje.
Sipas vëzhguesve, vota mund të sjellë rezultat vetëm në një konfigurim të caktuar – përndryshe, rrezikon ta riprodhojë të njëjtën bllokadë që zvarritet prej muajsh.
Zgjedhjet e 7 qershorit janë fundi i një zinxhiri të gjatë dështimesh institucionale dhe politike: nga moszgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues dhe dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, te vendimet e Gjykatës Kushtetuese, takimet pa rezultat mes udhëheqësve politikë, emrat e propozuar pa konsensus, bojkotimi i seancave dhe përplasjet e vazhdueshme pushtet-opozitë.
Për partinë deri tani në qeverisje, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka fituar mbi 51 për qind të votave, përgjegjësia për këtë bllokadë bie mbi opozitën, apo, siç e përshkruan udhëheqësi i saj, Albin Kurti, “bllokun opozitar”, i cili, sipas tij, ka vepruar në mënyrë të koordinuar kundër Vetëvendosjes.
“Të detyrosh një milion qytetarë të shkojnë sërish në kutitë e votimit, vetëm katër muaj pasi ata në mënyrë plebishitare e shprehën vullnetin e vet, që dikujt nuk i pëlqen… Këta duan ta përshtatin popullin sipas tekeve të tyre, por kjo është e pamundur”, ka thënë Kurti para mbështetësve të tij.
Nga këndvështrimi i opozitës së deritashme, Kurti, pavarësisht mandatit të fortë elektoral, ka shmangur kompromisin politik dhe ka zgjedhur përplasjen si mënyrë veprimi.