Bota
Përshkallzohen sulmet ruse, droni godet Rumaninë anëtare e NATO-s
Një dron rus goditi një ndërtesë banimi në Rumani në orët e para të mëngjesit të së premtes, duke shkaktuar zjarr dhe plagosjen e dy personave. Lajmi u konfirmua nga Ministria rumune e Mbrojtjes.
Sipas autoriteteve, droni u rrëzua në qytetin lindor të Galacit (Galați), pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa forcat ruse po kryenin sulme ajrore në territorin ukrainas.
Inspektorati i Përgjithshëm për Situatat e Emergjencës bëri të ditur se ngarkesa shpërthyese e dronit detonoi plotësisht pas përplasjes, duke shkaktuar një zjarr në katin e dhjetë të pallatit.
Ky është rasti i parë që qytetarë rumunë lëndohen si pasojë e drejtpërdrejtë e një droni rus që hyn në territorin e Rumanisë gjatë luftës në Ukrainë. Deri tani, Moska nuk ka reaguar zyrtarisht për incidentin.
Ministria e Jashtme e Rumanisë e cilësoi ngjarjen si një “përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga Federata Ruse”.
“Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse”, deklaroi ministria, duke shtuar se Bukureshti ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe ka kërkuar masa për të përshpejtuar transferimin e kapaciteteve kundër dronëve në Rumani.
Shërbimet e emergjencës njoftuan se dy persona morën ndihmë mjekësore për lëndime të lehta, ndërsa rreth 70 banorë u evakuuan nga ndërtesa derisa zjarri u vu nën kontroll.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se dy avionë luftarakë F-16 u ngritën menjëherë në ajër pasi dronët u identifikuan në hapësirën ajrore rumune.
“Njëri prej dronëve hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë, u ndoq nga radarët deri në pjesën jugore të qytetit Galați dhe u përplas në çatinë e një pallati, duke shkaktuar zjarr pas goditjes”, thuhet në deklaratë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka reaguar për sulmin rus me dron në Galați të Rumanisë që plagosi dy persona, përfshirë një të mitur.
Ministria shpreh solidaritet ndaj Rumanisë, ndërsa thotë se përshkallëzimi “serioz dhe i papërgjegjshëm” nga Rusia nënvizon “absurditetin dhe koston njerëzore” të luftës së saj ndaj Ukrainës.
Lumi Danub, që kalon pranë zonës së incidentit, formon një pjesë të kufirit mes Rumanisë dhe Ukrainës. Portet ukrainase përgjatë lumit janë objektiva të shpeshta të sulmeve ajrore ruse.
Në një incident të ngjashëm në prill, një tjetër dron rus shkaktoi dëme materiale në Galați, por pa viktima apo të lënduar.
Sipas Ministrisë rumune të Mbrojtjes, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, fragmente dronësh janë zbuluar në territorin rumun në 47 raste të veçanta. Vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 12 incidente të tilla.
Ndërkohë, gjatë natës u aktivizua alarmi ajror në mbarë Ukrainën. Autoritetet në jug të vendit raportuan se porti i Izmailit, në rajonin e Odesës, u godit nga dronë rusë në orët e para të së premtes.
Nga ana tjetër, në pjesën e rajonit lindor të Donetskut që kontrollohet nga Rusia, tre punonjës të shërbimeve publike humbën jetën në një sulm me dron që autoritetet lokale ia atribuuan Ukrainës.
Kreu i administratës së instaluar nga Kremlini në rajon, Denis Pushilin, tha se një person i katërt mbeti i plagosur rëndë. Ai e bëri deklaratën përmes aplikacionit Telegram.
Lufta në Ukrainë vazhdon prej më shumë se katër vitesh, që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të vendit në shkurt 2022.