Politike
Merz autokritikë: BE mban përgjegjësi për vonesat në zgjerim, 13 vite pa anëtar të ri
Kancelari gjerman Friedrich Merz se Bashkimi Evropian duhet të pranojë edhe përgjegjësitë e veta në procesin e zgjerimit, duke theksuar se blloku nuk ka integruar asnjë anëtar të ri prej 13 vitesh.
Ai u shpreh se procesi i zgjerimit është vonuar jo vetëm për shkak të vendeve kandidate, por edhe për shkak të vendimmarrjes në Bruksel.
Sipas tij, “Bashkimi Evropian ka bërë edhe gabimet e veta” dhe duhet të tregojë gatishmëri më të madhe politike për të avancuar me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Merz shtoi se ka diskutuar këtë çështje edhe me presidentin francez Emmanuel Macron, duke bërë të ditur se Gjermania dhe Franca kanë propozuar një qasje të re për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.
Gjithashtu Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka rikonfirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se rajoni “i përket BE-së” dhe se procesi i zgjerimit duhet të bëhet më i shpejtë dhe më konkret.
Sipas saj, procesi i zgjerimit do të mbetet i bazuar në meritë, por duhet të jetë më dinamik dhe i parashikueshëm, në mënyrë që progresi në reforma të pasohet nga avancim real në integrim, përfshirë akses më të madh në programet, financimet dhe tregun e BE-së.
Von der Leyen theksoi gjithashtu se objektivi për anëtarësimin e Malit të Zi si vendi i 28-të i BE-së deri në vitin 2028 është i arritshëm, ndërsa shprehu pritshmërinë që edhe Shqipëria të përparojë me ritëm të shpejtë në këtë proces.
“Shpresojmë që Shqipëria të ndjekë shpejt dhe që i gjithë rajoni të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian”, u shpreh ajo.
Kurse Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të procesit të anëtarësimit, pas Konferencës së fundit Ndërqeveritare, ku u hapën hapa të rinj negociues dhe u vlerësua progresi.