Aktualitet
Gjykatat nën sulm/ Gjyqtarët akuzojnë policinë për mungesë mbrojtjeje
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka dënuar aktet e dhunshme gjatë protestave në Tiranë, pas sulmeve ndaj godinave të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Në reagimin e saj, Shoqata shprehet e shqetësuar për zjarrvënien në mjediset e Gjykatës së Lartë dhe dëmtimin e dosjeve gjyqësore, duke paralajmëruar se këto akte rrezikojnë sigurinë e personelit dhe pengojnë funksionimin normal të drejtësisë.
Sipas Shoqatës, pasojat e dëmtimit të institucioneve gjyqësore nuk kufizohen vetëm te godinat, por prekin edhe qytetarët, të cilëve mund t’u vonohet ose vështirësohet marrja e drejtësisë. Ajo thekson se liria e shprehjes dhe e tubimit është e garantuar nga Kushtetuta, por nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën ndaj institucioneve dhe njerëzve që ushtrojnë detyrën në to.
Një pjesë e reagimit i kushtohet edhe rolit të Policisë së Shtetit. Shoqata ngre shqetësimin për mungesën e masave të përshtatshme parandaluese dhe mbrojtëse, duke nënvizuar se siguria e gjykatave kërkon planifikim, vëmendje të posaçme dhe reagim efektiv nga autoritetet përgjegjëse.
Shoqata e Gjyqtarëve shpreh gjithashtu shqetësim për deklaratat publike të kryeministrit ndaj gjyqtarëve që kanë shqyrtuar ose po shqyrtojnë kërkesat e prokurorisë për masat e sigurisë ndaj protestuesve. Sipas saj, kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e ligjshme, por nuk duhet të shndërrohet në sulm personal, delegjitimim të gjyqtarëve apo presion publik mbi ushtrimin e funksionit të tyre.
Në deklaratë theksohet se, veçanërisht kur deklarata të tilla vijnë nga drejtuesi i pushtetit ekzekutiv, ato mund të krijojnë perceptimin e ndërhyrjes në pavarësinë e gjyqësorit dhe të dëmtojnë besimin e publikut te drejtësia. Shoqata nënvizon se ligjshmëria dhe proporcionaliteti i masave të sigurisë duhet të vlerësohen nga gjykatat, në bazë të ligjit, provave dhe rrethanave konkrete të secilës çështje.
Në përfundim, Shoqata u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ajo kërkon marrjen e menjëhershme të masave për mbrojtjen e gjykatave dhe personelit të tyre, si dhe ndalimin e çdo forme presioni ndaj gjyqtarëve. Njëkohësisht, shpreh mbështetjen për gjyqtarët që ushtrojnë detyrën me pavarësi, paanësi dhe integritet.