✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Berisha ndez thirrjen për protestë: Tani është radha juaj, vriteni frikën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen studentëve, gjimnazistëve dhe të rinjve që prej ditësh protestojnë në Tiranë kundër qeverisë. Në një videomesazh drejtuar shqiptarëve, ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përdorim të dhunës policore ndaj protestuesve dhe ka kërkuar mobilizim më të gjerë qytetar.

Berisha pretendon se gjatë javës së fundit më shumë se 2 mijë të rinj, përfshirë gjimnazistë, studentë dhe të mitur, janë dhunuar, ndaluar ose arrestuar. Ai ka kritikuar përdorimin e shkopinjve të gomës, gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës gjatë përplasjeve, duke e cilësuar ndërhyrjen policore si joproporcionale dhe të paligjshme. Shifrat dhe akuzat e paraqitura në videomesazh janë pretendime të kreut të opozitës dhe nuk shoqërohen në materialin e publikuar me dokumentacion të pavarur verifikues.

Në mesazhin e tij, kreu i PD-së përdori gjuhë të ashpër ndaj qeverisë, duke e akuzuar Ramën për keqqeverisje, korrupsion dhe përpjekje për të qëndruar në pushtet. Ai pretendoi gjithashtu se protesta e pedagogëve dhe profesorëve në mbështetje të studentëve ka rritur presionin ndaj qeverisë.

Mesazhi i plotë

“Ky mesazh i drejtohet çdo shqiptari. Prej një jave, Tirana po përjeton terrorin e kuq që Shqipëria nuk e njihte më që nga ditët e zeza të regjimit komunist. Prej një jave, fëmijët shqiptarë, nën moshë, gjimnazistë dhe studentë po dhunohen barbarisht nga grupe narko-kriminelësh me uniformë.

Prej një jave, mbi 2 mijë vajza, djem, gjimnazistë, të mitur, studentë, janë dhunuar egërsisht, ndaluar apo arrestuar dhe kanë mbushur paraburgimet e vendit nga burgu famëzi i Burrelit gjer në burgun e Beratit.

Prej një jave, kemi parë disproporcion të madh ndaj reagimeve në vetëmbrojtje të studentëve kundër shkopinjve të gomës që thyejnë kockat e tyre të njoma, gazit helmues që është ngritur si një re e zezë mbi qiellin e Tiranës dhe çdo ditë po mbyt jo vetëm studentët dhe gjimnazistët, por dhe shtëpitë dhe banorët e tyre në Tiranë. Plumbave të gomës që lëshohen në breshëri, me pamëshirë, në shkelje të plotë të ligjit, ndaj studentëve, gazetarëve, por edhe qytetarëve, dhe që në fakt kanë çarë kafkat e tyre.

Edi Rama, për të shpëtuar lëkurën e tij, shpalosi dje platformën kriminale të terrorit të kuq. Bazuar në mercenarë, vrasës serialë të paguar 2500 euro, bazuar në mercenarë dhe vrasës serialë të importuar nga jashtë dhe në mjete të teknologjisë së terrorit. Por, protesta e sotme e mijëra e mijëra asistentëve, pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve në mbështetje të studentëve të tyre, përmbysi platformën e terrorit të kuq të Edi Ramës.

Kjo që po shohim është fundi i merituar i Edvin Kristaq Xhelatit.

Edi Rama, pasi nxiu jetën 13 vite shqiptarëve me vjedhjen kolosale të fondeve dhe pasurive publike, me arrogancën, përçmimin, me krimin, drogën, me bllokimin e rotacionit politik dhe farsat elektorale, vendosi që deri në fund të tij, t’i krijojë kosto të rënda Shqipërisë.

Ai kërkon të mbrojë me çdo çmim lëkurën, krimet, paratë e tij, mirëpo studentët dhe të rinjtë heroikë nuk bëjnë pas. Ata së bashku me pedagogët e tyre, prapë sot dolën në sheshin e mejdanit, asgjësuan platformën e terrorit të kuq të Edvin Kristaq Kolekës.

Por çdo qytetar shqiptar duhet të kuptojë se sot ka një përgjegjësi.

Qytetarët shqiptarë të të gjitha bindjeve politike, por dhe ata të paparti, nuk duhet të harrojnë se prej 13 vitesh keni ngritur zërin, keni kërkuar që të rinjtë të ngrihen kundër të keqes që ka kapluar vendin. Keni kërkuar prej tyre të marrin fatin e tyre në dorë. Studentët, gjimnazistët, të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri.

Ata po e bëjnë detyrën e tyre. Tani është radha juaj.

Shumica shqiptare që prej një jave mbështet në heshtje, me të gjithë shpirt studentët, duhet të vrasë frikën dhe të zbresë së bashku me ta në sheshin e mejdanit. Ata studentë sot janë drita e shpresës për Shqipërinë, prandaj ftoj çdo qytetar të dëgjojë thellë në ndërgjegjen e tij thirrjen më sublime që qenia njerëzore mund të ndjejë, thirrjen e të rinjve, thirrjen e kombit.

Çdo ditë që Edi Rama nuk jep dorëheqjen, Shqipëria ka një kosto më të lartë, por çdo ditë që ti nuk bashkohesh me studentët, Edi Rama zgjat fundin e tij të pashmangshëm.

Ndaj dhe dil sot, në mbështetje të atyre të rinjve, që Edi Rama u ka vjedhur gjithçka, por ende nuk e kanë braktisur dhe duan të bëjnë Shqipërinë sipas projektit të ëndrrave të tyre rinore. Ende kanë shpresë të bëjnë Shqipërinë. Ata po luftojnë për të ardhmen e tyre, ata po luftojnë për ty. Mos t’i lëmë ata vetëm që të bëjnë betejën e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë me të rinjtë, të gjithë tek ata nesër në ora 10:00 para universitetit, gjer në fitore.

Zoti ju bekoftë!”, tha Berisha.

Advertisement