Connect with us

Kosova

Melaim Zeka: Bizneset dhe politika kanë degraduar mediat, mos blini gazetarë

Ish-deputeti dhe gazetari Melaim Zeka ka reaguar me tone të forta, duke kritikuar mënyrën se si bizneset dhe politika në Kosovë e Shqipëri kanë ndikuar në degradimin e mediave dhe gazetarisë.

Në reagimin e tij, Zeka i drejtohet një biznesmeni me fjalën “Bac”, duke i kujtuar një këshillë që, sipas tij, ia kishte dhënë që në takimin e parë: të mos “blinte gazetarë”.
“Prej që të kam pas taku, ta kam pas dhënë një këshillë, që të ka dalë e saktë: Mos bleje gazetar, sepse ai që shitet, e shikon vetëm pazarin kush po ja rrit sasinë e tagjisë”, shkruan Zeka.

Ai thotë se ky model nuk është ndjekur vetëm nga një person, por edhe nga shumë biznese të mëdha në Kosovë e Shqipëri, të cilat sipas tij kanë afruar pranë vetes njerëz të medias që i kanë shërbyer interesit të momentit.
Zeka shprehet se biznesmenët dhe politikanët kanë preferuar gazetarë të nënshtruar dhe jo njerëz “të dijshëm e me kurriz”.
“Nuk keni dashtë me ofru afër vetes njerëz të dijshëm e me kurriz. Juve ju kanë konvenuar beratët, batonat, blendat, e shumë zvarranikë të tjerë”, thuhet në reagim.
Sipas Zekës, një pjesë e madhe e përgjegjësisë për gjendjen e mediave sot bie mbi biznesin dhe politikën, të cilët, sipas tij, kanë ushqyer një model të gabuar marrëdhëniesh me gazetarët.

“Njëri nga shkaktarët kryesorë të degradimit të mediave dhe çoroditjes së gazetarëve jeni ju dhe shumë shokë tuaj të biznesit dhe të politikës”, shkruan ai.
Në reagim, Zeka shton se ky model është ndërtuar mbi logjikën ballkanike të ndikimit, pazareve, denigrimeve dhe interesave të ngushta, në vend që të ndiqej një model më profesional në përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve.
Ai e mbyll reagimin duke paralajmëruar se ka ende shumë për të thënë për këtë çështje.

Advertisement