Connect with us

Bota

Kremlini shpall fitore, por mediat ruse humbasin besimin te Putini

“Nuk është më koha për triumfalizëm”. Titulli me të cilin e përditshmja ruse Izvestia komentoi largimin e ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, përmbledh më së miri ndryshimin e tonit që po shfaqet në një pjesë të medias ruse.

Narrativa zyrtare dhe retorika propagandistike vazhdojnë të mbeten të forta. Agjencia shtetërore RIA Novosti e paraqiti largimin e Fedorovit si dëshmi të një krize të thellë brenda udhëheqjes ukrainase.

“Regjimi i Kievit nuk ka rezistuar dhe përçarja është shndërruar në një rebelim kundër Zelenskyt. Ndërkohë, drejtuesit e tij e ndiejnë se fundi është i pashmangshëm dhe gjithnjë e më afër; prandaj po zgjasin duart me dëshpërim për të marrë gjithçka që mund të grabisin”.

Megjithatë, përtej kësaj linje zyrtare, në një pjesë të opinionit publik rus po shfaqen gjithnjë e më shumë dyshime dhe pasiguri. Disa media dhe komentatorë, ndonëse përgjithësisht të afërt me qëndrimet e Kremlinit, po përpiqen ta lexojnë situatën pa u mbështetur vetëm te stereotipet e propagandës.

Një shembull është gazeta Moskovsky Komsomolets, e njohur për besnikërinë ndaj vijës zyrtare. Këtë herë, gazeta nuk e paraqiti largimin e Fedorovit si një arsye të qartë për festë. Në përgjigje të pyetjes nëse Rusia duhet të gëzohet për zhvillimin, ajo shkroi:

“Në përgjithësi, në disa aspekte duhet patjetër t’i kemi zili armiqtë tanë, madje në disa raste edhe t’i marrim shembull. Shikoni Fedorovin. Ai është vetëm 35 vjeç dhe nuk është rastësi që u përplas me gardën e vjetër. Nuk mund të mohohet se ka arritur suksese”.

Vetëm pak muaj më parë, një vlerësim i tillë për një përfaqësues të autoriteteve ukrainase do të kishte qenë i vështirë të imagjinohej në një gazetë ruse pranë pushtetit.

“Pas protestave të papritura, si brenda vendit ashtu edhe nga Perëndimi, Zelensky nxori nga “kapelja” Yevhen Khmarën, kreun e përkohshëm të SBU-së, gjeneral dhe komandant i njësisë Alfa. Njësia e tij është përgjegjëse për “operacionet speciale” më të përgjakshme të regjimit të Kievit kundër civilëve. Masakra e spektatorëve në Crocus më 22 mars 2024. Vrasja e Darya Duginës pranë Moskës. Shpërthimet në urën e Krimesë. Organizimi i operacionit “Rrjeta e Merimangës”, sulmet me dronë ndaj aeroporteve tona strategjike më 1 qershor 2025. Publikisht, Khmara flet vetëm një gjuhë: “pushtues”, “agresion rus”, “operacionet tona speciale po rishkruajnë manualet e shërbimeve sekrete në mbarë botën”. Ai është një oficer që as nuk i konsideron negociatat si objekt studimi, ndërsa viktimat civile për të janë vetëm një efekt anësor… Çfarë do të thotë kjo për ne? Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës nuk do të drejtohet nga një reformator, por nga dikush që ka për profesion kryerjen e atentateve terroriste dhe vrasjen e civilëve në territorin tonë”.

Pretendimet e përfshira në këtë deklaratë pasqyrojnë qëndrimin e autorit dhe narrativën e mediave pro luftës në Rusi.

Shfaqja gjithnjë e më e dukshme e dyshimeve për ecurinë e luftës përbën një zhvillim të ri në hapësirën publike ruse. Ajo sinjalizon një ndryshim në gjendjen shpirtërore të një pjese të opinionit publik, ku retorika e sigurisë dhe e fitores po shoqërohet gjithnjë e më shumë me pikëpyetje.

Roman Aliokhin, një bloger patriot i njohur për qëndrimet më pragmatike dhe i shpallur nga autoritetet ruse si “agjent i huaj”, shkon edhe më tej. Ai shpreh hapur mosbesim ndaj aftësive të aparatit ushtarak dhe strategjik rus.

“Kush dhe çfarë na leverdis që të jetë në krye të vendit që është në luftë me ne? A nuk do të ishte më keq nëse Fedorovi do ta rrëzonte Zelenskyn, të cilin të paktën e njohim mirë? Në çdo rast, ky është pikërisht momenti kur mund dhe duhet të fusim një pykë në çarjen që po hapet në Ukrainë. Pikërisht kështu do të vepronte një ekspert i luftës hibride. Do të ishte një dhuratë për ne. Sikur të dinim si të zhvillonim një luftë hibride”.

Në këtë mënyrë, në hapësirën publike ruse po dallohen gjithnjë e më qartë dy linja mendimi.

E para është ajo e diktuar nga autoritetet, e përfaqësuar nga RIA Novosti dhe media të tjera që përcjellin drejtpërdrejt mesazhet e pushtetit.

“Rrethi i atyre që lejohen të ushqehen në “grazhdin ukrainas” po ngushtohet gjithnjë e më shumë. Kur kafshët mbeten në një gropë, ato fillojnë shumë shpejt të shqyejnë njëra-tjetrën. Ju bëftë mirë! Së shpejti do t’ju dërgojmë Geranët tanë”. (Geran është një dron i rëndë rus).

E dyta përfaqësohet nga komentatorë dhe media që po përpiqen të shohin përtej propagandës. Brenda kufijve që u lejon sistemi, ata po tregojnë më shumë kujdes, skepticizëm dhe pasiguri për realitetin e luftës.

Kjo nuk do të thotë se propaganda zyrtare është dobësuar ndjeshëm. Por fakti që në mediat ruse po botohen vlerësime pozitive për kundërshtarin dhe kritika ndaj aftësive të vetë Rusisë tregon se triumfalizmi nuk është më aq i padiskutueshëm sa më parë.

Advertisement