Connect with us

Politike

SPAK publikon bilancin, 16 zyrtarë të lartë nën hetim në 6 muaj

Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, ka bërë të ditur se institucioni që ai drejton ka nisur vitin 2026 me 616 procedime aktive në hetim.

Gjatë një takimi informues me gazetarët, Braho deklaroi se një pjesë e konsiderueshme e këtyre çështjeve kanë ardhur si rezultat i hetimeve të nisura nga vetë prokurorët e SPAK, dhe jo vetëm nga kallëzime apo referime të jashtme.

Sipas tij, më shumë se gjysma e procedimeve aktive janë rezultat i hetimeve proaktive të ndërmarra nga institucioni. Braho bëri gjithashtu të ditur se gjatë gjashtë muajve të fundit janë hetuar 16 zyrtarë të lartë.

Kreu i SPAK nuk bëri krahasime me periudhat e mëparshme, por theksoi se volumi i çështjeve në hetim tregon ngarkesën dhe aktivitetin e institucionit gjatë kësaj periudhe.

Pjesë nga deklarata:

3. ECURIA E ÇËSHTJEVE TË PRAPAMBETURA TË VITEVE 2019–2021

3.1. Krahasimi i së njëjtës periudhë të viteve 2025 dhe 2026 tregon një përshpejtim të ndjeshëm të trajtimit të çështjeve të prapambetura të regjistruara gjatë viteve 2019–2021. Gjatë periudhës 1 janar–15 korrik 2025, nga 145 çështje aktive u përfunduan 12, me një normë të përgjithshme zgjidhshmërie prej 8,27%. Në të njëjtën periudhë të vitit 2026, nga 108 çështje aktive u përfunduan 63 procedime penale, me një normë zgjidhshmërie prej 58,3%.

3.2. Në terma absolute, gjatë vitit 2026 janë përfunduar 51 çështje më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025, ose mbi pesë herë më shumë. Norma e përgjithshme e zgjidhshmërisë është rritur me rreth 50 pikë përqindje, nga 8,27% në 58,3%, pavarësisht se krahasimi përfshin të njëjtën kohë raportimi.

3.3. Përmirësimi më i madh konstatohet te çështjet e vitit 2019. Deri më 15 korrik 2025 ishin përfunduar vetëm 2 nga 35 çështje, me normë zgjidhshmërie 5,71%, ndërsa deri më 15 korrik 2026 janë përfunduar 24 nga 26 çështje, ose 92,3% e stokut të fillim vitit. Në proces kanë mbetur vetëm 2 çështje të këtij viti.

3.4. Edhe për çështjet e vitit 2020 rezultati është dukshëm më i lartë. Norma e zgjidhshmërisë është rritur nga 10,2% në vitin 2025 në 78,9% në vitin 2026. Nga 38 çështje aktive në fillim të vitit 2026 janë përfunduar 30 dhe kanë mbetur në proces vetëm 8 çështje.

3.5. Për çështjet e vitit 2021 është shënuar gjithashtu progres, por me ritëm më të kufizuar. Norma e zgjidhshmërisë është rritur nga 8,19% në 20,5%, ndërsa janë përfunduar 9 nga 44 çështje aktive. Megjithatë, 35 çështjet e vitit 2021 që mbeten në proces përfaqësojnë 77,8% të të gjithë stokut të mbetur të viteve 2019–2021.

3.6. Në përfundim, të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2026 puna është përqendruar me rezultat të dukshëm në reduktimin e stokut më të vjetër, veçanërisht të çështjeve të viteve 2019 dhe 2020. Sfida kryesore për pjesën e mbetur të vitit është përshpejtimi i trajtimit të çështjeve të vitit 2021.

4. PROCEDIMET ME ZYRTARË TË NIVELIT TË LARTË

4.1. Gjatë periudhës 1 janar–15 korrik 2026, SPAK ka hetuar 13 procedime penale që përfshijnë 16 zyrtarë/ish-zyrtarë të nivelit të lartë dhe drejtues institucionesh.

4.2. Pjesën më të madhe të personave të përfshirë e përbëjnë kryetarët ose ish-kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e institucioneve qendrore. Këto dy kategori përfaqësojnë së bashku 10 nga 16 personat, ose 62.5% të totalit.

Advertisement