Connect with us

Kronike

AKSIDENT/ MBREMJE TRAGJIKE NE DURRES

Një aksident me pasojë vdekjen e një këmbësori është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në lagjen nr. 15 të Durrësit.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45, kur automjeti i drejtuar nga shtetasi D. N. ka përplasur këmbësorin Xh. Zh.

Për shkak të plagëve të marra, ky i fundit ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Pamjet nga vendi i aksidentit tregojnë se edhe automjeti i përfshirë ka pësuar dëmtime të konsiderueshme nga përplasja.

Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë, ku po kryhen veprimet procedurale.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e tij.

Qarku i Durrësit vijon të jetë ndër zonat ku regjistrohen aksidente të rënda rrugore, shpesh me pasoja fatale. Aksi Durrës–Tiranë, rruga e Plazhit, segmentet hyrëse dhe dalëse të qytetit, si edhe zonat e banuara, kanë qenë ndër pikat ku ndër vite janë shënuar ngjarje tragjike.

Një pjesë e aksidenteve me vdekje kanë përfshirë këmbësorë, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes ose në zona me ndriçim dhe sinjalistikë të pamjaftueshme. Autoritetet kanë evidentuar vazhdimisht si faktorë kryesorë shpejtësinë mbi normat e lejuara, parakalimet e rrezikshme, mosrespektimin e rregullave të qarkullimit dhe mungesën e kujdesit ndaj këmbësorëve.

Pavarësisht kontrolleve të shtuara dhe masave të ndërmarra nga Policia Rrugore, aksidentet me pasoja të rënda mbeten një nga problematikat më serioze të sigurisë rrugore në Durrës.

Advertisement