Connect with us

Aktualitet

Nga Piramidat te Betoni

Nga Evarist Beqiri

Shqiptarët janë tradhtuar shpesh nga qeveritë e tyre. Jo gjithmonë me gënjeshtra të mëdha. Shpesh me ëndrra të mëdha. Në vitin 1997, ëndrra ishte pasurimi i shpejtë pa punë. Shteti nuk e ndali mashtrimin. Nuk i mbrojti njerëzit. Shqiptarët paguan faturën. Me gjak. Me kaos. Me vite të humbura.

Sot po shitet një tjetër ëndërr. Ëndrra e mirëqenies së shpejtë përmes betonit. Kulla në vend të kodrës. Shkatërrim i bregdetit. Gërryerje e maleve dhe lumenjve. Çdo copë natyre që zhduket quhet “investim”. Çdo hapësirë që mbetet e lirë quhet mundësi e humbur.

Por zhvillimi nuk matet me atë që ndërtojmë. Matet me atë që na mbetet. Shqipëria po ndërton shumë. Por po humbet edhe më shumë. Çmimet e banesave janë bërë të papërballueshme për shqiptarët.

Rritet çmimi i pronës dhe ulet cilësia e jetës. Shqipëria tërheq kapital dhe largon qytetarë. Ndërton hotele për turistët dhe e bën vendin të papërballueshëm për shqiptarët.

Paradoksi bëhet edhe më i madh kur shohim gjendjen e mjedisit. Ironia është se Shqipëria e ka shpallur turizmin motor të zhvillimit, ndërsa renditet e fundit në Evropë për cilësinë e ujërave të plazheve. Ky është tregues i mungesës së një strategjie zhvillimi. Sepse nuk ndërtohet një ekonomi turistike duke shkatërruar pasurinë natyrore mbi të cilën ajo mbështetet.

Nuk mjafton të ndërtosh resorte buzë detit, nëse nuk e mbron detin. Nuk mjafton të numërosh turistët, nëse humbet pasurinë që i sjell ata. Zhvillimi nuk fillon me betonin. Ai fillon me ruajtjen e natyrës. Prandaj pyetja nuk është: çfarë po ndërtojmë? Pyetja është: për kë po e ndërtojmë? Këtu qëndron filli historik që lidh Shqipërinë e vitit 1997 me Shqipërinë e vitit 2026.

Vlora.

Në vitin 1997, një ekonomi e brishtë, institucionet e dobëta dhe skemat piramidale e çuan Shqipërinë drejt greminës. Sot, në të njëjtin qytet, një pushtet i degraduar, një model i gabuar zhvillimi, rrezikon që të gërryejë një tjetër pasuri: natyrën dhe të ardhmen.

Dje u rrezikua pasuria që shqiptarët kishin në duar. Sot rrezikohet pasuria që shqiptarët kanë nën këmbë. Në të dyja rastet, mungon diçka: një shtet që mendon përtej ditës së sotme.

Historia na mëson se ëndrrat e rreme kanë gjithmonë një faturë reale. Në vitin 1997, shqiptarët humbën paratë duke besuar një ëndërr me sy hapur. Sot rrezikojmë që të humbasim diçka që nuk blihet dot më: vendin ku jetojmë.

Prej muajsh, qindra mijëra shqiptarë po protestojnë. Ata nuk i besojnë më propagandës së pushtetit. Nuk i besojnë më as premtimeve të radhës.

Shqiptarët për herë të parë po i besojnë zërit të tyre. Ndoshta ky është ndryshimi më i madh. Kjo protestë nuk është vetëm për atë që po ndërtohet. Ajo është për atë që po humbasim.

Shqipëria mund të rindërtojë ekonominë. Mund të ndryshojë qeverinë. Mund të korrigjojë ligjet. Por shkatërrimi i natyrës, humbja e territorit dhe betonizimi i së ardhmes, nuk kthehen më pas.

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për zhvillim. Ka nevojë për një model zhvillimi që nuk e sakrifikon të ardhmen për përfitimin e së tashmes.

Në 1997-ën, ideja e pasurimit të shpejtë e gjunjëzoi Shqipërinë. Në 2026-ën, pasurimi i shpejtë nëpërmjet betonizimit pa kriter nuk rrezikon vetëm peizazhin. Ai rrezikon të ardhmen e Shqipërisë.

Historia nuk mban mend sa kulla ndërtuam. Ajo mban mend se çfarë Shqipërie u lamë brezave që do të vijnë pas nesh. Atëherë do të shihet nëse e kuptuam dallimin mes zhvillimit dhe shkatërrimit, apo vetëm e pamë.

Advertisement