Aktualitet
Shqipëria nën flakë, 4 vatra aktive, dhjetëra hektarë pyje të djegura, në terren qindra forca
27 vatra zjarri janë raportuar në vend gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa situata vijon të mbetet problematike në disa zona.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 292 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse. Në terren kanë ndërhyrë gjithashtu Forcat e Armatosura me 80 efektivë dhe 3 helikopterë.
Flakët më problematike në Dibër
Situata më e vështirë paraqitet në qarkun Dibër.
Në Vajkal të Bulqizës, zjarri ka përshkuar më shumë se 18 hektarë, ndërsa operacioni vijon me forcat e MZSH-së, strukturat bashkiake dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Një tjetër vatër aktive është në Lundre të Matit, ku zjarri vijon në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Edhe këtu janë angazhuar 30 efektivë të FA-së.
Në Mallunxë të Matit, flakët janë riaktivizuar për shkak të erës së fortë dhe janë orientuar në drejtim të fshatrave Mallunxë dhe Lis.
Situatë problematike edhe në Dajt
Problematike mbetet edhe situata në Dajt–Qafë Priskë, megjithëse deri tani nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon edhe gjatë ditës së sotme me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Nën mbikëqyrje janë vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Iballë–Fushë-Arrëz. Në Iballë, terreni i vështirë ka bërë të nevojshme edhe ndërhyrjen nga ajri me helikopter të FA-së.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe mjedisit, ndërsa forcat operacionale vijojnë të jenë në gatishmëri për ndërhyrje në zonat problematike.