Politike
PËRPLASJE PA FRENA/ Rama debaton sërish me Demokratët Europianë: Mos e minimizoni dhunën
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat qytetare dhe episodet e dhunës të regjistruara gjatë tubimeve, duke u përplasur në distancë me Demokratët Europianë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama ka kritikuar qëndrimin e Demokratëve Europianë lidhur me incidentet e ndodhura gjatë protestave.
Sipas kryeministrit, ata dënuan dhunën ndaj përfaqësuesve të zgjedhur vetëm pasi ai publikoi pamjet e incidenteve. Rama pretendon se më pas, këto episode u minimizuan duke u cilësuar si “akte të izoluara”.
Sipas Ramës, prej 102 ditësh qytetarët kanë protestuar në bulevard, pa probleme sa i përket të drejtës për t’u tubuar, për të folur dhe për të kritikuar qeverinë.
Por, sipas tij, situata ndryshoi kur protestuesit penguan fizikisht deputetët për të hyrë në Parlament.
“Pengimi fizik i deputetëve të zgjedhur për të hyrë në Parlament dhe keqtrajtimi i një deputeteje të respektuar, e cila thjesht po përpiqej të shkonte në vendin e saj të punës, nuk është kundërshtim politik. Është dhunë”, shkruan Rama.
Kryeministri sjell në vëmendje edhe një tjetër episod, këtë herë me një qytetar të zakonshëm.
Rama pretendon se protestuesit kanë bllokuar një kryqëzim të qytetit, kanë rrethuar automjetin e një qytetari që po përpiqej të kalonte dhe më pas e kanë goditur atë.
“Për çfarë është fajtor ai? Që po përpiqet të vazhdojë rrugën e tij?”, pyet kryeministri.
Rama u kërkon Demokratëve Europianë që të dënojnë edhe këtë rast.
Ai kërkon qëndrime të qarta dhe pa justifikime për çdo rast dhune që ndodh gjatë protestave.
Kryeministri thekson ndërkohë se nuk synon të barazojë të gjithë protestuesit me personat që janë përfshirë në episode të dhunshme.
“Unë nuk po përdor dhunën e disa personave për të diskredituar çdo protestues”, shprehet Rama.
Por, sipas tij, pikërisht këtë po bëjnë Demokratët Europianë, duke përdorur sjelljen paqësore të shumicës së protestuesve për të minimizuar veprimet e atyre që, sipas tij, janë përfshirë në dhunë.
“Ju po përdorni sjelljen paqësore të shumë protestuesve për të minimizuar dhunën e të tjerëve”, shkruan Rama.
Në fund të reagimit, kryeministri u drejtohet sërish Demokratëve Europianë dhe u kërkon të mbajnë një qëndrim të prerë.
“Hajdeni, tregohuni të guximshëm dhe thuajeni: Kjo nuk është kundërshtim politik. Është dhunë.”
Reagimi i Edi Ramës vjen në një kohë kur protestat dhe aksionet e opozitës kanë shtuar përplasjet politike, ndërsa debati është zhvendosur te mënyra e zhvillimit të protestave, bllokimi i rrugëve dhe episodet e dhunës.
Në qendër të debatit mbetet tashmë edhe qëndrimi i faktorëve politikë europianë ndaj këtyre zhvillimeve, si dhe mënyra se si institucionet shqiptare do të reagojnë ndaj rasteve të raportuara të dhunës gjatë protestave.