Sport
Tërmet te Kosova, Rrahmani largohet nga kombëtarja: Dy vite nën sulme të kordinuara
Një nga kapitujt më të rëndësishëm të përfaqësueses së Kosovës mbyllet mes akuzave dhe një përplasjeje të fortë me drejtuesit e Federatës së Futbollit.
Amir Rrahmani ka njoftuar largimin nga Kombëtarja pas dhjetë vitesh kontribut me fanellën dardane, shtatë prej të cilave si kapiten dhe lider i mbrojtjes.
Por vendimi i mbrojtësit nuk është një lamtumirë e zakonshme.
Rrahmani ka zgjedhur të flasë publikisht për arsyet e largimit, duke adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj drejtuesve aktualë të FFK-së.
Kapiteni pretendon se problemet e përfaqësueses nuk janë zgjidhur për shkak të mënyrës se si është menaxhuar Federata dhe shkon edhe më tej, duke folur për sulme të vazhdueshme nga vetë institucioni.
“Çfarë mora në këmbim? Sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara për më shumë se dy vite nga ata të cilët do të duhej të na mbronin”, shprehet Rrahmani.
Një deklaratë që e bën edhe më të fortë përplasjen mes një prej figurave kryesore të Kombëtares dhe drejtuesve të futbollit kosovar.
Rrahmani thekson se vendimi nuk është marrë lehtë, por është një zgjedhje që, sipas tij, lidhet me ruajtjen e integritetit personal dhe profesional.
Pas një dekade me Kosovën dhe shtatë vitesh me shiritin e kapitenit, mbrojtësi i jep fund aventurës së tij me përfaqësuesen.
Por dera nuk duket se do të hapet sërish në kushtet aktuale.
Rrahmani ka bërë të qartë se nuk do të rikthehet në Kombëtare për sa kohë drejtuesit aktualë të Federatës vazhdojnë të jenë në detyrë.
Një lamtumirë që vjen si tronditje për Kosovën, por njëkohësisht edhe si nisje e një përplasjeje të re brenda futbollit dardan.