Shkrime
Shalli i Arafatit u tund në Vlorë/ Muzeu është sebepi për të goditur Izraelin…Akuza që kthen debatin në betejë gjeopolitike
Një postim me tone të forta polemike përplaset si tjetër shtojcë mbi debatin e ditëve të fundit në lidhje me Muzeun e Labërisë, Palestinën, Izraelin dhe atë që konsiderohet si rreziku i islamizimit të Europës. Aleksandër Mita e sheh çështjen e muzeut si një pretekst për një betejë shumë më të gjerë ideologjike.
“Baki Goxhaj dhe islamikët e tjerë nuk e kanë hallin tek muzeu i Labërisë, se ai do rikonstruktohet, por është sebepi për të luftuar Izraelin, shtetin dhe popullin e lashtë që i dha njerëzimit Biblën, Krishtin, Spinozën, Frojdin, Marksin, Ajnshtajnin e qindra të tjerë” – shkruan Mita në një postim të publikuar në faqen e tij në Facebook.
Duke iu referuar Baki Goxhajt dhe simbolikës së shallit të Arafatit, Mita e zhvendos menjëherë debatin nga çështja e muzeut te konflikti izraelito-palestinez dhe qëndrimet ndaj Izraelit. Sipas tij, pas reagimeve për Muzeun e Labërisë fshihet një kundërshtim më i gjerë ndaj shtetit hebre dhe ndaj Perëndimit.
Mita sjell në argument edhe kontributin historik dhe kulturor të hebrenjve, duke përmendur figura si Spinoza, Frojdi, Marksi dhe Ajnshtajni…
Por përtej Izraelit, pjesa më e fortë e opinionit lidhet me Europën.
Autori shprehet se kundërshtimi ndaj demokracive perëndimore, shoqërohet me një projekt për “islamizimin e Evropës”, të cilin ai e lidh me emigracionin e paligjshëm, dobësimin e krishterimit, përhapjen e Sheriatit dhe pozitën e grave në shoqëritë myslimane.
“Këta aventurierë të historisë janë të zotët vetëm për të ngjallur urrejtjen ndaj demokracive perëndimore”, shkruan Mita, duke e cilësuar luftën dhe konfliktin si terrenin ku, sipas tij, këto qëndrime gjejnë hapësirën më të madhe.
Në këtë këndvështrim, debati për Palestinën nuk mbetet më thjesht një çështje e politikës së jashtme. Për Aleksandër Mitën, ai lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e Europës, identitetin e saj kulturor dhe fetar dhe përplasjen mes modeleve të ndryshme shoqërore.
Por autori i reagimit nuk e lë jashtë kritikës as Shqipërinë dhe qeverinë Rama.
Sipas Mitës, shteti shqiptar nuk po e vendos në qendër mbrojtjen e traditës shqiptare të bashkëjetesës dhe të besimeve të moderuara, por është i përqendruar tek beteja politike dhe pushteti.
“Shteti i Ramës nuk ka në fokus mbrojtjen e besimeve të moderuara shqiptare, se është fokusuar tek lufta për pushtet”, shkruan ai, duke e mbyllur me paralajmërimin se kjo qasje, sipas tij, “nuk do dalë për mirë”.
Me pak fjalë, është një reagim që nis me Muzeun e Labërisë, por përfundon shumë larg tij: tek Izraeli dhe Palestina, tek identiteti europian, tek raporti mes Islamit dhe Perëndimit dhe tek mënyra se si politika shqiptare po pozicionohet përballë këtyre përplasjeve. Një postim që e kthen një debat mbi një muze në një përplasje shumë më të madhe për fenë, identitetin dhe orientimin e shoqërisë shqiptare.
Shkrimi i plotë
Ja dhe Baki Goxhaj, luftëtari për Palestinën e lirë, me shallin e Arafatit në qafë( që i ka lënë së bijës nja 9 miliardë dollarë trashëgimi, gjaku i grabitur i popullit të Palestinës)!
Ky dhe islamikët e tjerë nuk e kanë hallin tek muzeu i Labërisë( se ai do rikonstruktohet), por është sebepi për të luftuar Izraelin, shtetin dhe popullin e lashtë që i dha njerëzimit Biblën, Krishtin, Spinozën, Frojdin, Marksin, Ajnshtajnin e qindra të tjerë e sot mbron ekzistencën e vet nga hordhitë arabe: iraniane,siriane,irakiane, hamase,hezbollahe,erdoganiane etj.
Këta aventurierë të historisë janë të zotët vetëm për të ngjallur urrejtjen ndaj demokracive perëndimore, se vetëm në luftë gjejnë shesh të bëjnë përshesh.
Dhe arma është islamizimi i Evropës përmes imigrimit të paligjshëm, urrejtjes ndaj krishtërimit, përhapjes së Sharias, shtypjes dhe skllavërimit të grave etj.
Shteti i Ramës nuk ka në fokus mbrojtjen e besimeve të moderuara shqiptare,se është fokusuar tek lufta për pushtet dhe kjo punë nuk do dalë për mirë.