Politike
Berisha sfidon sërish SHBA: Nuk kam qenë kurrë non grata
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se nuk e konsideron veten asnjëherë “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, duke argumentuar se masa ndaj tij lidhej me ndalimin e vizës dhe jo me shpalljen si person të padëshirueshëm.
Në një deklaratë për mediat, Berisha iu përgjigj pyetjes lidhur me vizitën e tij në SHBA pas disa vitesh dhe qëndrimin e tij ndaj vendimit amerikan. Ai përmendi ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, ish-ambasadoren amerikane në Shqipëri Yuri Kim dhe ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke pretenduar se ata sot nuk gëzojnë të njëjtin pozicion apo mbështetje në SHBA.
Berisha përmendi gjithashtu kryeministrin Edi Rama dhe ish-kreun e PD-së, Lulzim Basha, duke i lidhur me atë që ai e cilësoi si persekutim politik ndaj tij.
“McGonigal mori vite burg, Yuri Kim është jashtë shërbimit diplomatik, Anthony Blinken është i padëshiruar në vendin e tij. Rama ndodhet në rrotullisjen e tij të madhe, Lulzim Basha është mbyllur me brava tani”, deklaroi Berisha.
Ai këmbënguli se vendimi amerikan nuk përbënte një shpallje “non grata”, por një ndalim të vizës. Sipas tij, ky interpretim mbështetet në dallimin mes statusit juridik të një personi “non grata” dhe masave që lidhen me të drejtën e hyrjes në SHBA.
“Bazuar në Konventën e Vjenës, disa shtete kanë të drejtë që disa politikanë mund të shpallen të padëshirueshëm. Ndalimi i vizës time nuk kishte asnjë lidhje me këtë gjë. Nuk kam qenë kurrë non grata”, u shpreh ai.
Berisha shtoi se ndalimi i vizës së tij është hequr nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke e cilësuar këtë si konfirmim të qëndrimit të tij.