Sport
Krisje mes dy miqve? Dembélé nuk e pret mirë deklaratën e Mbappé
Ousmane Dembélé nuk e ka pritur mirë një prej deklaratave të fundit të Kylian Mbappé për karrierën e tij. Sipas L’Équipe, fituesi i “Topit të Artë” nuk ka qenë aspak i kënaqur me mënyrën se si shoku i tij i vjetër e ka përshkruar rrugëtimin e tij.
Mbappé kishte folur për diferencën mes dy karrierave, duke theksuar se që në moshë të re ai ishte konsideruar si lojtari i destinuar për të arritur majat. “Ai shihej gjithmonë si një lojtar me shumë talent, ndërsa unë isha gjithmonë i parë si i zgjedhuri. Arrita shumë shpejt në majë. Rrugëtimi i tij ishte ndryshe, me dëmtime, por ai bëri një rikthim të madh”, ishte shprehur Mbappé.
Fjalët e sulmuesit të Real Madridit nuk janë pritur mirë nga Dembélé. Sipas medias prestigjioze franceze, lojtari i PSG-së nuk e ka vlerësuar këtë koment, pavarësisht marrëdhënies së afërt që dy futbollistët kanë pasur prej vitesh.
Mbappé dhe Dembélé janë miq që nga mosha 15-16 vjeç dhe kanë ndarë jo vetëm eksperienca me kombëtaren franceze, por edhe një marrëdhënie të ngushtë jashtë fushës. Megjithatë, deklarata e Mbappé duket se ka prekur Dembélén, sidomos në një moment kur ai po përjeton një nga periudhat më të mira të karrierës së tij.