Thinking ...
Connect with us

Politike

‘Kuvendi të njohë gjenocidin serb në Kosovë’- Balla përplaset me Redi Shehun: Je kalama

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Shehu, dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u përfshinë në një debat në Kuvend lidhur me Kosovën dhe vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Shehu kritikoi qeverinë shqiptare, duke e akuzuar se nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm në arenën ndërkombëtare për njohjen e asaj që ai e cilësoi si gjenocid serb në Kosovë dhe për kërkimin e dëmshpërblimit për viktimat e luftës.

“E mbështesim qasjen që Rusia do të duhet të dëmshpërblejë Ukrainën për dëmin që i ka shkaktuar. Megjithatë shtrohet pyetja, nëse Shqipëria do të ratifikojë konventën për Komisionin që do të mbikëqyrë dëmin që Rusia i ka shkaktuar Ukrainës, po dëmin që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, cili komision do ta shqyrtojë? Ç’hapa konkret ka ndërmarrë qeveria shqiptare në arenën ndërkombëtare për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë dhe për kompensimin që i takon shqiptarëve të Kosovës të dalë nga lufta. Sepse ndryshe nga konflikti ruso-ukrainas, kur flasim për dëmin në kontekstin e Kosovës, po flasim për gjenocidin e një shteti dhe të një ushtrie fashiste të ushtruar mbi një popullsi të pambrojtur. Kur do i vijë radha popullit të Kosovës që të dëmshpërblehet.

Ç’rol ka luajtur shteti shqiptar në këtë drejtim? Si mundet që kjo qeveri të kërkojë njohjen e gjenocidit serb në Kosovë nga ndërkombëtarët, kur keni qenë ju deputetët e PS që keni rrëzuar propozimin për njohjen e gjenocidit serb. Me çfarë fytyre Rama sot kundërshton vendimin e Gjykatës Speciale të Hagës, kur në delirin e madhështisë të vetëshpalljes lider ballkanik, të atij që do lobonte në emër të ndërkombëtarëve, i kërceu helikopterit për të shkuar e për të bindur homologët e tij në Kosovë për krijimin e Speciales. Ky Kuvend duhet ta njohë gjenocidin serb përmes rezolutave të përbashkëta me Kuvendin e Kosovës”, tha mes të tjerash Muçi.

Shehu kritikoi edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj vendimit të Gjykatës Speciale. Sipas tij, Rama nuk mund ta kundërshtojë sot vendimin e Hagës, pasi, në vlerësimin e deputetit, ka pasur rol në bindjen e liderëve politikë të Kosovës për krijimin e kësaj gjykate.

Nga ana tjetër, Taulant Balla iu përgjigj kritikave duke sulmuar mënyrën e ndërhyrjes së deputetit në debat. Balla e cilësoi Shehun si “kalama” dhe pretendoi se fjalimet e tij në Kuvend i shkruhen nga persona të tjerë.

“Kur vjen në Kuvend vjen me fjalime që t’i kanë shkruar të tjerët. Ti je rasti unik që do e bësh mandatin përgjysmë, sepse vitin tjetër do të duhet të vijë zëvendësuesi, sipas marrëveshjes që keni bërë. Por thuaji atij zëvendësuesit tënd, Qorrit, që fjalimet të t’i shkruajë tamam. Ishe këtu ti sot kur ne votuam një deklaratë që denoncohet nga Kuvendi i Shqipërisë gjenocidi në Kosovë? Por kur kalamaj si puna jote vijnë këtu dhe me pa asnjë të drejtë përdorin një moment kaq të vështirë për shqiptarët për llogari politike, ky është rasti tipik për t’i thënë votuesve që të mos sjellin më kalamaj në sallë, se e çoni votën dëm”, tha mes të tjerash Balla.

Advertisement