Politike
SHISH në duart e krimit të organizuar/ Bardhi: Çfarë duhet më që Edi Rama të japë dorëheqjen
Kreu i Grupit demokrat, Gazment Bardhi ka reaguar pas masës së sigurisë të caktuar ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, në kuadër të operacionit të SPAK. GJKKO ka caktuar ndaj Hysenit masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra.
Bardhi deklaroi se kishte ngritur publikisht më herët dyshime për raportet mes drejtueses së SHISH dhe Ergys Agasit.
“Vlora Hyseni në shërbim të Ergys Agasit ishte një nga sekretet publike për të cilat kam ngritur shpesh shqetësimin gjatë këtyre tre viteve”, deklaroi Bardhi.
Bardhi e zgjeroi akuzën nga Hyseni te institucioni që ajo drejton, duke deklaruar se bëhej fjalë për “Shërbimin Informativ të Shtetit në duart e krimit të organizuar”.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së e drejtoi më pas përgjegjësinë politike te kryeministri Edi Rama, duke iu referuar emërimit të Hysenit në krye të SHISH.
“Ka një firmë poshtë emërimit të Vlora Hysenit. Është firma e Edi Ramës”, deklaroi Bardhi.
Ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe daljen e tij para drejtësisë.
“Çfarë duhet më që Edi Rama të jap dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë?
Asnjë surprizë për mua nga aksioni i sotëm i SPAK që provon një nga aktet më të rënda të shtetit shqiptarë gjatë regjimit të Edi Ramës: SHISH dhe Policia e Shtetit nën shërbimin e krimit të organizuar.
E kam paralajmëruar këtë në Kuvendin e Shqipërisë më 4 Qershor 2026.
Vlora Hyseni në shërbim të Ergys Agasit ishte një nga sekretet publike për të cilat kam ngritur shpesh shqetësimin gjatë këtyre tre viteve. Nuk kam përdorur figura letrare. Kam folur me emra dhe mbiemra, sepse nuk bëhej fjalë thjesht për Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin. Bëhej fjalë për Shërbimin Informativ të Shtetit në duart e krimit të organizuar.
Ka një firmë poshtë emërimit të Vlora Hysenit. Është firma e Edi Ramës. Dhe nga ajo firmë ai e di që nuk shpëton dot.“-shkruan Bardhi.